Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, mbahen më 18 dhjetor.
Lista Serbe, partia që dominon pjesën më të madhe të elektoratit në këto zona ka bojkotuar këto zgjedhje si vazhdimësi të qëndrimeve të tyre të largimin nga institucionet e vendit.
Ata pretendojnë se as votuesit e tyre që “përbëjnë 95% të votave” nuk do të dalin në zgjedhje. Bojkoti, pretendojnë ata, është mbarë-komunitar në mesin e serbëve.
13 subjekte politike të serbëve në Kosovë kanë njoftuar se s’do të garojnë në këto zgjedhje.
Megjithatë, në KQZ janë regjistruar dy kandidatë për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe një për Kryetar të Komunës së Leposaviqit.
Një nga figurat më të njohura të serbëve në Kosovë që s’i përket Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviç, do të kandidojë për Kryetar të Leposaviqit.
“Kushdo që provon të sfidojë dhe ekspozojë [Listën Serbe] e ka mbështetjen time”, thotë Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviç në një prononcim për gazetën online Reporteri.net.
Lista Serbe i jep vetes ekskluzivitetin e të folurit në emër të të gjithëve. Në këtë kontekst, Trajkoviç shprehet se “përgjithësisht jam mbështetëse ndaj cilitdo akter politik serb në Kosovë që sheh të thejë monopolin që Lista Serbe ka mbi komunitetin tonë”.
Kjo parti, edhe në bazë të emrit “Srpska” e projekton veten si jashtë dhe në diferencim me Kosovën si shtet më vete.
Trajkoviç, shprehet se që nga paraqitja në skenë e këtij formacioni politik marrëdhëniet shqiptaro-serbo në Kosovë kanë pësuar rënie.
“Është fakt se edhe në kohët më të këqija të tensioneve etnike në Kosovë, aktorë politikë të komunitetit serb gjithmonë kanë punuar konstruktivisht me shqiptarët dhe kanë promovuar ripajtim dhe normalizim të marrëdhënieve në mesin e njerëzve të zakonshëm”, thotë ajo.
Lista Serbe, siç e elaboron ajo, “inkurajon mosbesim dhe ndjell mospajtim”.
Por, kjo nuk do të thotë që ata s’janë bashkëpunues “me çdo qeveri kosovare” kur në pyetje janë interesat e tyre personale për pushtet dhe për pasurim të paligjshëm.
“Lista Serbe e ka vendosur komunitetin tonë në reputacion të keq, dhe kjo duhet të ndreqet sa më shpejt të jetë e mundur. Andaj, kushdo që provon të sifdojë dhe të ekspozojë ata e ka mbështetjen time”, thotë Rada Trajkoviç në një përgjigje për Reporteri.net.
Në dritën e ngjarjeve aktuale, edhe të dorëheqjes së serbëve nga institucionet e vendit, Trajkoviç megjithatë ka edhe një mospajtim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
“Është e qartë se zoti Kurti duhet të heq dorë nga teknika e tij e negocimit si ‘ose të gjitha ose asgë’.
Qasjen e Kurti, Trajkoviç e sheh si të dikujt “që nganjëherë duket sikur nuk ka Plan B në negociata”. Kjo prodhon shqetësim te qytetarët, thotë ajo.
“Qytetarët – edhe shqiptarët edhe serbët – duhet të sigurohen se liderët e tyre kanë përzemër interesat e tyre dhe se nuk do të bëjnë gjëra të pamatura që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin e jetëve të tyre”, përfundon Rada Trajkoviç./Reporteri.net/







