Zgjedhjet në veri

Zgjedhjet në veri| BE-ja: Të organizohen sa më shpejt, pa parakushte

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse, pra me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.

Zgjedhjet lokale në katër komunat e veriut të Kosovës të banuara me serbë etnikë, të mbajtura në muajin prill të këtij viti, sipas zëdhënësit të BE-së, ishin zhvilluar në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, megjithëse, për shkak të pjesëmarrjes shumë të ulët, ato nuk kanë ofruar një zgjidhje politike afatgjate.

“Prandaj, është e rëndësishme që zgjedhjet lokale gjithëpërfshirëse, ku serbët e Kosovës marrin pjesë pa parakushte, të organizohen sa më shpejt”, ka thënë Stano në një prononcim për media më 2 shtator, ndërsa ka përsëritur thirrjen për de-eskalimin e plotë të situatës në veriun e trazuar të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Stano ka theksuar se institucionet evropiane po presin që Kosova dhe Serbia të reflektojnë e t’i përmbushin pa vonesa të mëtejshme kërkesat e qarta që janë shprehur në deklaratën e 27 vendeve të BE-së me 3 qershor për de-eskalimin e situatës dhe të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar.

“BE-ja nënvizon deklaratën e Përfaqësuesit së Lartë në emër të BE-së të datës 3 qershor 2023, e cila i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të marrin masa për të de-përshkallëzuar situatën dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar. Kosova është angazhuar ndaj këtyre parimeve në Bratislavë”, ka shtuar ai.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) veçse e ka përpiluar Udhëzimin Administrativ për largimin e katër kryetarëve shqiptarë nga zyra – Lulzim Hetemi, Ilir Peci, Izmir Zeqiri dhe Erden Atiç – nëpërmjet një peticioni që pritet t’i hapë udhë zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të Kosovës.

Më 14 shtator (e enjte) në Bruksel pritet të zhvillohet takimi i nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç pritet të takohen ballë për ballë pas më shumë se katër muaj nga takimi i fundit më 2 maj.

Tensionimi i situatës në veriun e Kosovës ka ndikuar substancialisht në bllokimin e ecurisë së procesit të dialogut që i mbajti të zënë diplomatët perëndimorë përgjatë gjithë kësaj kohe. Ekizton bindja e diplomatëve evropianë se me armiqësi të reja nuk do të arrihen mësymjet politike, posaçërisht integrimet eurovropiane të të dy vendeve.

Diplomatët evropianë presin që palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit të marrëdhënieve, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që palët kanë marrë përsipër veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel (27 shkurt) dhe më pas në mes të marsit në Ohër (18 mars).