Zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut: PDK do unifikim, por jo edhe VV

Florent Azemi, kandidati i PDK-së për Kryetar të Mitrovicës së Veriut, është shprehur se ai por edhe kundërkandidati i tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Erden Atiq, kanë pak gjasa që të fitojnë në zgjedhjet për kryetar të kësaj komune.

Ai ka thënë se shpreson që në zgjedhjet e ardhshme shqiptarët të shkojnë të bashkuar në zgjedhjet për kryetar.

“Në vitin 2013 kur kemi qenë, kur kemi hyrë për të parën herë në zgjedhje kam bërë përpjekje që të hymë si listë qytetare dhe në bazë të rrethanave kemi dështuar. Shpresoj që të jenë zgjedhjet e fundit që të hymë dy kandidat shqiptarë në zgjedhje”, është shprehur Azemi.

“Është koha që të unifikohemi dhe të hymë në një listë. Nuk ka kurrfarë arsye që të mos bëhet kjo”.

Azemi në Info Magazine ka theksuar se PDK ka mundësi që në këto zgjedhje ta marrë pozitën e nënkryetarit të komunës.

“Pozitën e nënkryetarit e pranoj sepse na ka takuar por nuk është funksionalizuar. Kemi sinjale pozitive, prej oponentëve politikë vendorë ndërkombëtarë dhe palës serbe”.

Erden Atiq, kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës Veriore, është shprehur optimist për këto zgjedhje.

“Jam më optimist në këtë drejtim se kandidati im. Vij prej subjektit politik, më të madhit në vend dhe ‘feedbacku’ që po e marrim prej terrenit është shumë i mirë. S’mund të flas me shifra të sakta, por secilën fushatë dhe zgjedhje fatmirësisht numri i votave po na rritet, përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut. Është kandidatura ime e tretë; në secilin proces zgjedhor ne po shkojmë duke u rritur dhe jam shumë optimist në këtë drejtim”, ka thënë Atiq.

Sipas Atiq, nuk është i mundur koalicioni me PDK-në, as në nivel lokal.

“Nuk është diskutuar, është temë e ndjeshme. Në procesin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve, edhe sfidat problemet që i kemi pasë prej subjekteve p.sh Listës Serbe, nuk është që edhe subjekti i PDK-së ka mbetur prapa; me skandale, me shkelje të ligjit, me blerje të votave, me punësime në kohë fushatë e të tjera”, është shprehur ai në Info Magazine.

“Nuk është e mundur me bo koalicion me një subjekt politik, i cili në mënyrë aktive ka funksionuar vetëm për interesa. Gjithkund ka ose korrupsion ose mosdije, në nivelin më të skajshëm të mundshëm. Si është e mundur me bo koalicion me dikë i cili qasjen që e ka me VV-në nuk dallon me Listën Serbe”.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunën e Mitrovicës së Veriut, do të mbahen me 29 nëntor.