Më 22 gusht do të jetë data kur do të shpërbëhet Kuvendi i Kosovës në mënyrë që t’i hap rrugë mbajtjes së zgjedhjeve së parakohshme, të cilat priten të mbahen në fundit e shtatorit, apo javën e parë të tetorit. Kështu është vendosur në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit të Kosovës, teksa gjitha partitë janë marrë vesh që përveç shpërbërjes të votojnë dhe marrëveshjen ndërkombëtare IPA që Kosovës i sjell rreth 100 milionë euro.
Ftesës për mbledhje të kryesisë i janë përgjigjur të gjithë shefat e grupeve parlamentare, përfshirë dhe atë të Listës Serbe. Derisa, me vonesë kanë hyrë përfaqësuesit e dy partitë opozitare, LDK-së dhe VV-së, pasi janë parë duke u dakorduar me njëri-tjetrin para se të hynë në mbledhje. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli pas mbledhjes së kryesisë tha se e vetmja zgjidhje kur ka dilema për qytetarët janë zgjedhjet, teksa theksoi se Kosova ka nevojë për vendosmëri për të ecur përpara dhe mençuri strategjike për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin e vendit.
“Që nga dita e parë e kam thënë me bindje të plotë dhe vendosmëri. Edhe sot e them që e vetmja zgjidhje kur ka dilema janë qytetarët e vendit, janë zgjedhjet. Zgjedhjet nuk janë opsion, apo alternativ, por janë drejtim edhe vendim i duhur për qytetarët dhe vendit tonë. Ky vend ka nevojë për vendosmëri për të ecur përpara”, tha Veseli
Ndërsa, shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti kërkoi që pas shpërbërjes së Kuvendit të ndiqen gjitha procedurat e nevojshme kushtetuese që vendi sa më shpejt të shkojë në zgjedhje të përgatitura mirë.
“Ne u dakorduam të gjithë së bashku që vendi të shkojë në zgjedhje të rregullta të përgatitura mirë. Të gjithë institucionet përkatëse të marrin detyrat e tyre. Të gjithë u pajtuam në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit që me datë 22 gusht 2019 në orën 10:00 të shpërbëhet Kuvendit dhe pastaj të ndiqen të gjitha procedurat e nevojshme sipas Kushtetutës për të quar vendin në zgjedhje. Gjithashtu u dakorduam që para shpërbërjes së Kuvendit të miratojmë marrëveshjen ndërkombëtare IPA që Kosovës i sjell 100 milionë euro për projekte të ndryshme”, tha Hoti.
Kërkesë të njëjtë kishte dhe i pari i deputetëve të PDK-së Memli Krasniqi i cili tha se duhet t’i jepet hapësirë një Qeverie të re me legjitimitet qytetar që do të çojë përpara procese që kanë mbetur pezull. “Ta konkretizojmë këtë rrugëtim përpara, meqenëse deri më sot kemi pas vetëm deklarime në media. Sot ka marrë dhe vulë institucionale ky proces. Ne besojmë që menjëherë pas shpërndarjes presidenti me partitë duhet të veprojë për të caktuar sa më parë që të jetë e mundur, brenda afateve Kushtetuese mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme që t’i jepet hapësirë një Qeverie të re me legjitimitet qytetarë e cila do të qoj përpara procese që kanë mbetur pezull”, u shpreh Krasniqi.
Data për mbajtjen e zgjedhjeve dha shefi i deputetëve të Nisma-s, Bilall Sherifi, i cili tha se fundi i shtatorit ose java e parë e tetorit pritët të gjejë Kosovën në zgjedhje të reja.Sherifi gjithashtu, shprehu disa prej arsyeve që pse është vendosur që Kuvendi të shpërbëhet me 22 gusht dhe jo më herët.
“Fundi i shtatorit ose fillimi i tetorit do të jetë data më e përafërt për t’u organizuar zgjedhjet e parakohshme… Arsyeja se pse u vendos data të jetë 22 gusht dhe jo menjëherë ka të bëjë me shqetësimet dhe rekomandimet e BE-së që na nevojitën pak më shumë kohë për t’u përgatitur misionin vëzhgues që do ta dërgojnë në Kosovë. Nëse nesër do të shpërndahej Kuvendi dhe 15 shtatori do të ishte data e zgjedhjeve ata do të kishin vështirësi në përgatitjen e misionit vëzhgues për ta dërguar në Kosovë dhe për të vëzhguar zgjedhjet”, tha ai
I lumtur me këtë vendim u shpreh dhe shefi i deputetëve të AAK-së, Ahmet Isufi. “Me këtë rast mandati i kthehet sovranit, përkatësisht popullit siç e ka theksuar zotëri Haradinaj me rastin e dorëheqjes së tij”, tha ai
Për dallim prej kolegëve të partive të tjera, shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca dhe ai i PSD-së, Dardan Sejdiu nuk u prononcuan para mediave. Gjithë kjo situatë ka ardhur për shkak të dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj pas ftesës për të dëshmuar në Gjykatën Speciale si i dyshuar.







