KQZ-ja

Zgjedhjet, KQZ-ja po e ruan materialin zgjedhor të 418 kutive të votimit – pse?

Viti 2021 ka qenë tepër i ngarkuar me punë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), institucion ky që organizoi dy procese zgjedhore: Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës dhe dy raundet e Zgjedhjeve Lokale.

Edhe pse Zgjedhjet Lokale janë përmbyllur në mes të muajit dhjetor, jo të gjitha aktivitetet që i takojnë atij procesi kanë përfunduar, siç është rasti me shkatërrimin e materialit zgjedhor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një intervistë për EkonomiaOnline ka thënë se ky institucion ka vendosur ta ruajë materialin zgjedhor të 418 kutive të votimit që i takojnë zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe së shpejti pritet të vendos është për materialin që i takon zgjedhjeve të 17 tetorit dhe 14 nëntorit.

“Është detyrim ligjor për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që në një kohë të përshtatshme brenda 60 ditëve pas certifikimit të rezultateve zgjedhore të bëjë shkatërrimin e materialit zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet”.

“Ky aktivitet, llogaritet të jetë i fundit që i takon një procesi zgjedhor, në këtë rast Zgjedhjeve Lokale 2021”, tha Elezi.

Sipas tij, jo i gjithë materiali zgjedhor do të shkatërrohet, pasi një pjesë e tij ruhet si prova për qëllime të hetimit, ndërsa një pjesë tjetër ruhet për qëllime të trajnimit të stafit që do të angazhohet në proceset e ardhshme zgjedhore.

“KQZ-ja do të vendos për të gjitha detajet si dhe do të përcaktojë edhe materialet të cilat do të ruhen si prova për qëllime të hetimit nga organet e drejtësisë deri në përfundimin e të gjitha çështjeve”.

“Po ashtu, KQZ-ja ruan edhe një pjesë të materialit zgjedhor i cili do të mund të përdoret për qëllime të trajnimit në proceset e ardhshme zgjedhore”, u shpreh ai.

Se sa do të jetë numri i kutive që do të ruhen nga Zgjedhjet Lokale, ende nuk dihet, por nga procesi tjetër zgjedhor ai i zgjedhjeve të 14 shkurtit, KQZ-ja ka ruajtur materialin zgjedhor të 418 kutive të votimit, raporton EO.

“Gjatë vitit 2021, KQZ-ja ka organizuar edhe një proces tjetër zgjedhor, pra Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës dhe materiali zgjedhor është shkatërruar. Në këtë proces nuk është përfshirë materiali zgjedhor i 418 kutive të votimit, që i takojnë zgjedhjeve të 14 shkurtit”.

“Pra, ky material do të ruhet si provë derisa të përfundojnë të gjitha çështjet në institucionet përkatëse”, deklaroi Elezi.