Kryeministri në detyrë

Zgjedhjet! Hoti përmend vrasjen e zyrtarëve të LDK-së pas luftës

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka thënë që partia e tij kandidatët për kryeministër nuk i zgjedh nga studiot televizive.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti LDK-në e ka cilësuar “shkollë të mendimit politik”.

“Kandidati për Kryeministër i LDK-së caktohen nga LDK-ja, jo nga studiot apo rrjetet sociale. LDK-ja nuk është vetëm parti, por edhe shkollë e të menduarit politik, që e ruan kursin e zhvillimit demokratik dhe euro-integrues të Kosovës”, ka shkruar ai.

Tutje Hoti ka shkruar edhe për historikun e LDK-së duke përmendur edhe vrasjet e pasluftës.

“LDK-ja i ka mbijetuar kohës së represionit serb, duke organizuar institucionet e Republikës së Kosovës. LDK-ja i ka mbijetuar një gare të egër politike në vitet e pasluftës, kur zyrtarët e saj janë vrarë, por e ka ruajtur kursin e zhvillimit demokratik të Kosovës”, ka theksuar ai.

Sipas Hoti, partia e tij tani është duke u përballur me një sfidë të cilën do ta fitojë.

“LDK-ja tash e ka sfidën e radhës, për të mos e lënë shtetin e Kosovës të rrëshqasë drejt autokracisë, izolimit dhe regresit. LDK-ja nuk është perfekte, por është vlerë për Kosovën. Dhe do ta fitojë edhe këtë sfidë, jo për veten e saj, por për Kosovën”, ka theksuar ai.

“Është obligim i LDK-së që gjeneratat e reja të zhvillohen duke u mësuar me tolerancën dhe demokracinë, me vlera njerëzore dhe evropiane, e jo me antivlera, militantizëm, dhunë dhe autokraci”, ka shtuar Hoti.

Ndonëse nuk është caktuar ende data e zgjedhjeve, LDK ende nuk ka bërë publik ndonjë emër për pretendetin për postin e kryeministrit.

Partitë politike pas takimeve më u.d. të presidentes, Vjosa Osmani kanë përmendur fundin e janarit ose fillimin e shkurtit si kohë e përshtatshme për zgjedhje pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që të shkarkoi Qeverinë Hoti për shkak të pavlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi.