Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar zyrtarisht liderët e partive politike që t’i takojë më 31 korrik për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Në letrën e cila u është është dërguar liderëve të partive, Osmani, ka deklaruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025.
“Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën S301, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letër që ka siguruar Betimi për Drejtësi.
Në lidhje me këtë takim ka folur për “Gazeta Blic” deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti.
Haliti tha se ftesa për takim e përfaqësuesve të partive politike me qëllim që të caktohet data e zgjedhjeve është obligim kushtetues i Presidentes.
Ai tha propozimi i datave për zgjedhje është në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.







