Gjermani

Zgjedhjet e sotme në Hesse mund të lëkundin pozicionin e Merkelit

Banorët e rajonit qendror “Hesse” të Gjermanisë, këtë të diel votojnë në një palë zgjedhje që janë rezultat i pakënaqësisë me luftimet e brendshme të qeverisë kombëtare. Rezultati i këtyre zgjedhjeve do të ndihmojë, po ashtu, të kuptohet nëse administrata e kancelares Angela Merkel ka apo jo një të ardhme afatgjatë.

Zgjedhjet për legjislativin në “Hesse”, rajon që përfshin kryeqendrën financiare të Gjermanisë, Frankfurtin, vijnë teksa mbështetja për partitë qeverisëse të vendit ka rënë dhe tensionet janë rritur brenda koalicionit federal, që ka marrë detyrën prej muajit mars, transmeton TCH.

Konservatorët e Unionit Kristian-Demokratik (CDU) të Merkelit do të kërkojnë të mbrojnë kontrollin 19-vjeçar në “Hesse”, dikur një bastion i Socialdemokratëve (SPD) të qendrës së majtë, tashmë partnerë koalicioni në qeverinë e kancelares në Berlin. Një rezultat i tmerrshëm për të dyja partitë do të destabilizonte edhe më tej qeverinë kombëtare, e madje edhe pozicionin e Merkelit që ka udhëhequr Gjermaninë në 13 vitet e fundit.

Dy javë më parë, dy nga partitë qeverisëse në nivel qendror, Unioni Kristian-Social (CSU) – simotra bavareze e CDU-së së Merkelit dhe Socialdemokratët (SPD) u mposhtën në zgjedhjet shtetërore në Bavarinë fqinje. Rezultati në Bavari u dha një domethënie tjetër zgjedhjeve në “Hesse”, ku jetojnë 6.2 milionë banorë nga popullsia prej 82 milionë banorësh e të gjithë Gjermanisë.

Votuesit duken përgjithësisht të kënaqur me qeverinë e guvernatorit konservator, Volker Bouffier, në të parin koalicion mes CDU-së dhe “Të gjelbërve” tradicionalisht me prirje të majta që përmbush tërësisht mandatin parlamentar, e sigurisht edhe për harmoninë e papritur të kësaj aleance. Por, sipas sondazheve, të fituar do të dalin vetëm “Të gjelbrit”, të cilët janë në opozitë në Bundestag.