Zgjedhjet e 19 Majit, KQZ cakton shumën për shpenzimet e fushatës zgjedhore

​Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës ku u njoftua lidhur me procesin e krijimit të listës preleminare të votuesve për Zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunave në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, të cilat do të mbahen më 19 maj.

Sipas të dhënave jopërfundimtare, numri i votuesve në këto katër komuna është 58 mijë e 520 votues, apo 1 mijë e 507 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet Lokale të vitit 2017.

Mbështetur në të dhëna jopërfunditmare numri i votuesve në Mitrovicën e Veriut është 22 mijë e 242; në Zubin Potok 8 mijë e 612; në Leposaviq 18 mijë e 390; dhe në Zveçan 9 mijë e 276.

Në vazhdim të mbledhjes KQZ-ja mori vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore që do të mbahet nga 13 deri më 17 maj.

Sipas vendimit të KQZ-së, duke u mbështetur në Rregullën Zgjedhore për Kufizimin e Shpenzimeve të Fushatës, shuma e mjeteve për shpenzimet e fushatës zgjedhore është 0.5 euro për votues të regjistruar në komunën përkatëse.Vendimi i KQZ-së mbështetet në listën jo-përfundimtare të votuesve në këto katër komuna.Kështu për Mitrovicën e Veriut shuma që lejohet të shpenzohet është 11,121 euro, për Zubin Potokun 4,306 euro, për Leposaviqin 9,195 euro dhe për Zveçanin 4,638 euro.