Zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s sot vjen në Kosovë, takon Osmanin e Rakiqin

Një delegacion i lartë i Këshillit të NATO-s do të vijë për vizitë sot në Kosovë.

Në një postim në Twitter të zëdhënëses së NATO-s, Oana Lungescu, bëhet e ditur se delegacioni i NATO-s do të udhëhiqet nga zëvendëssekretari i përgjithshëm, Mircea Geoana.

“Të enjten e 7 korrikut, një delegacion i lartë i Këshillit të NATO-s do ta vizitojë Kosovën, ka bërë të ditur në një njoftim për media NATO-ja. Zëvendëssekretari i përgjithshëm, Mircea Geoana, do të jetë udhëheqës i delegacionit”

Sipas njoftimit zyrtar, zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, do të takohet me komandantin e KFOR-it gjeneralmajor Ferenc Kajári dhe drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë, gjeneral brigade Joachim Hoppe.

Geoana, po ashtu, do të zhvillojë takim të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Listës Serbe i cili është edhe ministër për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq.

“Ata do të kenë edhe një shkëmbim me shefat e misioneve të Bashkimit Evropian, EULEX-it, OSBE-së dhe UNMIK-ut. Ambasadorët do të kenë mundësinë të angazhohen me trupat e KFOR-it. Zëvendëssekretari i Përgjithshëm do të takohet me znj. Vjosa Osmani dhe z. Goran Rakiq në Prishtinë për një diskutim dypalësh”, thuhet në njoftim.