Zëvendësministri i Mbrojtjes: Gjuha e politikanëve serb është gjuhë e shekullit të kaluar

Lideri i Partisë Radikale Serbe, Vojislav Sheshel, sot ka dhënë deklarata të ashpra kundër shqiptarëve në Kosovë.

Këto deklarata vijnë pas aksionit të Policisë së Kosovës në veri në fillim të javës së shkuar.

Ndër të tjerash, Shesheli ka thënë se ushtria dhe policia serbe duhet të jetë prezente në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Në anën tjetër, Zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, në një prononcim për Ballkani.info, ka thënë se gjuha e Sheshelit është gjuhë e shekullit të kaluar.

“Besoj se gjuha që e përdor Sheshel dhe pothuajse e gjithë elita politike në Serbi, është gjuhë e shekullit të kaluar. Është e qartë se e kaluara nuk mund të përsëritet më kurrë. Okupimi dhe hegjemonia ndaj popullit të Kosovës i takojnë shekullit të kaluar. Gjithçka ka ndryshuar në këtë shekull, ne vazhdojmë para”, ka thënë Ramadani.

Kujtojmë se pas aksionit të policisë në veri, zyrtarë të lartë shtetëror serb kanë reaguar duke e politizuar situatën. /Ballkani.info