ambasadorja

Zëvendësministri i Jashtëm: Ashtu siç është emëruar ashtu edhe u shkarkua Alma Lama

Ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, vazhdon të kryejë punën e saj, pavarësisht se presidenti, përmes dekretit, kërkoi shkarkimin e saj.
Dekreti i nënshkruar më 23 nëntor e urdhëron Ministrinë e Jashtme ta zbatojë atë.

Por, sekretari i Përgjithshëm i kësaj Ministrie, Fitim Sadiku, ka thënë për KTV’në se zyrtarisht Ministria e Jashtme ende nuk e ka njoftuar Lamën për afatin kohor për tërheqjen e saj nga pozita e ambasadores.

Nga ana tjetër, Lama është treguar aktive javëve të fundit në Romë, duke dhënë intervista për media italiane dhe duke i publikuar ato në rrjete sociale.

Ish-deputetja e Vetëvendosjes dhe më pas e LDK’së, nuk ka kthyer përgjigje për arsyet e largimit të saj nga misioni diplomatik dhe për situatën e paqartë të krijuar rreth postit të saj.

Ndërkaq, zëvendësministri i Jashtëm, Anton Berisha, ka thënë se vendimi për tërheqjen e saj është i nënkuptueshëm, duke marrë parasysh historinë e emërimit të saj.

Alma Lama u emërua ambasadore e Kosovës në Itali më 2016, vetëm pak kohë pasi qëndroi në sallën e Kuvendit për të bërë kuorumin dhe për të zgjedhur Hashim Thaçin president.