Zëvendëskryetari i PDK-së: Jo zgjedhje të reja

Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se vendi ka hyrë në krizë politike.

Ai ka deklaruar se kjo po ndodh për shkak se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë mirëbesim mes vete për ta formuar qeverinë e ardhshme të vendit.

Hoxhaj ka thënë për “Epoka e re” se u takon VV’së dhe LDK’së t’i formojnë institucionet, pasi ato janë deklaruar publikisht para qytetarëve për një gjë të tillë.

Ai ka vlerësuar se në 20 vjetët e fundit, Kosova është dëmtuar me qeveri me mandat afatshkurtër.

Hoxhaj ka thënë se vendi nuk duhet të shkojë sërish në zgjedhje të reja.

“Nuk mendoj se më 6 tetor qytetarët kanë dalë në zgjedhje, për të mbajtur sërish zgjedhje të parakohshme”, është shprehur ai.

“Qytetarët presin që të ketë institucione të reja dhe të mos blihet kohë”, ka thënë Hoxhaj.