Zëvendëskryeministri arsyeton vendimin për pagat, tregon pse u shkarkuan koordinatorët

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi ka mbrojtur vendimin e Qeverisë Kurti e cila anuloi vendimin e ish-kryeministrit Haradinaj për pagat e kabinetit qeveritar, si dhe të koordinatorëve nacionalë.

Abazi në një prononcim për Ekonomia Online tha se vendimi i sotëm për uljen e pagave është i drejtë dhe është bërë për të kursyer buxhetin e shtetit, pasi që siç tha ai prioritet i tyre mbetet zhvillimi ekonomik.

“Është në vendim i qeverisë i cili bën shkarkimin e koordinatorëve që janë përcaktuar në vendim për shkak se ne besojmë që nuk duhet të ketë mbivendosje dhe duplifikim të përgjegjësive. Arkitektura e qeverisë ka ministria, zëvendësministra, drejtor departamentesh kanë përgjegjësinë  e plotë për punën që duhet bërë, dhe nuk ka pasur nevojë që të ketë edhe një strukturë shtesë të koordinatorëve.

“Qeveria ia ka rritë vetës pagat dhe ne jemi kthyer në vendimin e mëparshëm juridik i cili është rregulluar në nivelin e pagave që kanë qenë më herët, ky është nacionaliteti. Ligji për Paga është pjesë e rregullores që është në Gjykatën Kushtetuese në shqyrtim, varësisht prej vendimit të saj do të kemi mundësi që të bëjmë intervenime të duhura e të domosdoshme sepse përqendrimi ynë është që paraja publike, buxheti të shpenzohet me kujdes në raport me nivelin e pagave në gjithë shoqërinë tonë. Nuk mund të kemi një diskrepancë të madhe të sektorit publik”, tha ai.

Abazi tha se për këtë vendim kanë bërë analizë paraprake dhe përkon me premtimet e bëra gjatë fushatës, ndërsa shton se do të angazhohen për një nivelizim pagash si në sektorin publik kashtu edhe në atë privat.

“Është vendim që është marrë në bazë analizave dhe llogarive që ka bërë. Ky vendim është pjesë e premtimeve tona që do të bëjmë veprime të duhura dhe do të kthehemi në vendime juridike që mbështesin nivelin e pagave pa pasur konflikt interesi. Shpresojmë që zhvillimi ekonomik do të mundësoj rritjen e pagave në gjithë sektorët për gjithë qytetarët  dhe do të ishte një proces normal i përputhshmërisë së zhvillimit dhe pagës mesatare me pagat e zyrtarëve të qeverisë”, tha ai për EO.

Vendimi i qeverisë Kurti për uljen e pagave për kryeministrin dhe kabinetin e tij, po shihet më shumë si popullor dhe pa u respektuar ligji e as procedura.