Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Vigan Qorrolli ka fyer rëndë deputeten e PDK-së, Ganimete Musliu, pas përplasjes që ajo e pati me udhëheqësin e seancës, Avni Deharin.

Qorrolli e ka quajtur Musliun “çapaçule” dhe “gango me duar në xhepa”.

Duke e akuzuar për fyerje dhe dhunë, Qorrolli vetë ka fyer deputeten e PDK-së.

“Turpi i një çapaçuleje pa dinjitet! Sjellja e deputetes gangstere ndaj deputetit Avni Dehari, njeriut më të vjetër në Parlament, është një akt dhune verbale, mungesë edukate dhe fyerje ndaj çdo norme njerëzore e institucionale”, ka shkruar Qorrolli në Facebook.

“Gango me duar në xhepa i detyrohet me një ndjesë publike jo vetëm z. Dehari, por edhe publikut që e pa të lënduar dinjitetin e një figure të respektuar. Gangoja me gjithë tonin e saj neveritës, s’u ngrit dot asnjë centimetër mbi Avni Deharin. Përkundrazi, ajo u fundos në sytë e çdo qytetari që ka ende një pikë edukate dhe një gram respekti për pleqtë e këtij vendi”, ka shkruar ai.

“Por le ta themi troç: Gango nuk e fyeu Avni Deharin. Ajo e fyeu Parlamentin, Kosovën, e besa edhe vetveten, nëse ky tipar vlen për fyesit (sic!)”.