Imer Zeqiri

Zeqiri: Policët po ndihen të nënçmuar me shtesat për rrezikshmërinë

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, thotë se shtesat për rrezikshmërinë ndaj Policisë së Kosovës janë të ulëta.

Zeqiri, tha se pjesëtarët e Policisë së Kosovës po ndihen të nënçmuar me rritjen prej 45 euro të shtesave të rrezikshmërisë.

“Këto shtesa janë të ulëta. Për këto çështje ne kemi pasur edhe kërkesa. Ne si Sindikatë kemi thënë që shtesat për rrezikshmërinë për Policinë e Kosovës as që ish dashur të diskutohen e lëre më të ndalen. Reagimet nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë të papranueshme këtë shtesa, definitivisht edhe ne iu bashkangjitemi të gjitha këtyre pakënaqësive të pjesëtarëve të PK-së. Të thuhet se ka një shtesë për rrezikshmërinë nga 45 euro, ndoshta edhe ky reagimi i Policisë që po ndodh është se po ndihen jashtëzakonisht të nënçmuar me këtë nivel të shtesave për rrezikshmërinë”, tha ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.

Ai tha se propozimi për këto shtesa është i papranueshëm.

“Nëse e analizojmë mirë paragrafin ose fjalinë e fundit na ka bërë me dije se këto mund të jenë të përkohshme dhe jo të përhershme. Në realitet duhet të jenë të përhershme. Ky propozim është i papranueshëm, mandej është krijuar edhe ky mllef te Policia e Kosovës”, shtoi ai.

Qeveria e Kosovës ka vendosur sot për pagesën e rrezikshmërisë së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, duke filluar nga paga e muajit nëntor. Kurti në mbledhjen e Qeverisë tha se muajt e deritanishëm të shtesave të rrezikshmërisë, prej kur ka hyrë në fuqi ligji i ri i pagave, shtesat do të ndahen në mënyrë retroaktive.