Zemërim në Gjermani pas sulmit ndaj Bundestagut

Politika gjermane ka reaguar ashpër pas protestave të fundjavës, ku pati edhe një sulm të ekstremistëve para Bundestagut. “Pamjet janë të neveritshme dhe ekstremistëve të djathtë nuk duhet t’u ofrohet asnjë platformë”.

Vazhdon debati në Gjermani pas protestave të fundjavës në Berlin ku krahas kundërshtarëve të kufizimeve të Coronës morën pjesë edhe ekstremistë të djathtë dhe anarkistë. Një pjesë e ekstremistëve të djathtë dhe anarkistëve “Reichsbürger” që nuk e njohin Gjermaninë si shtet, iu vërsulën edhe Bundestagut e arritën të ngjisnin disa shkallë e të ngrinin flamurin e tyre me ngjyrat e zeza të bardhë e të kuqe. Policia arriti t’i zmbrapsë turmat e protestuesve që synon Bundestagun.

Keqpërdorim i ndërtesës së Bundestagut”

Reagime të ashpra kanë ardhur nga politika gjermane pas zhvillimeve në fundjavë. Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier i dënoi sulmet ndaj Bundestagut, që ai i cilësoi si “sulm të padurueshëm ndaj demokracisë sonë. Këtë nuk do ta pranojmë kurrë.” Steinmeier do të presë edhe policët që u angazhuan para Bundestagut. Presidenti i Bundestagut, Wolfgang Schaäuble i cilësoi si “të neveritshme atë që ndodhi aty”. Por në tërësi policia e Berlinit “e përballoi mirë situatën”, tha Schäuble.

Ministri i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer tha se është e padurueshmë që kaotikët dhe ekstremistët të keqpërdorin ndërtesën e Bundestagut për qëllimet e tyre. “Pluraliteti i mendimit është shenjë e shëndetit të shoqërisë sonë. Liria e grumbullimit i ka aty kufiijtë e saj, ku rregullat e shtetit shkelen me këmbë.”

Politikani socialdemokrat e kandidat për kancelar i sociademokratëve, Olaf Scholz tha se “ligji ynë kushtetues garanton lirinë e mendimit dhe të demonstrimit”, por simbolet e nazistëve nuk kanë ç’kërkojnë para Bundestagut gjerman, tha ai. Kreu i Komisionit të Jashtëm parlamentar, Norbert Röttgen, tha se “këto pamje janë turpëruese.

Kreu i grupit parlamentar “E Majta”, Dietmar Barsch kërkoi të nderohen policët që mbrojtën hyrjen e parlamentit. “Veçanërisht polici pa helmetë, ai meriton nderimin më të madh.”

Edhe kryetarja e grupit parlamentar të AfD-së, Alice Weidel i kritikoi zhvillimet e fundjavës. “Është e papranueshme që disa kaotikë pas demonstratës paqësore të Coronës në Berlin i thyen disa pengesa të vendosura nga policia.” Kurse politikanë të partisë Kristiansociale, CSU dhe Të gjelbrit janë shprehur për të zgjeruar kufizimin e demonstratave në afërsi të Bundestagut. Pata mësymjes së parlamentit të shtunën, sipas llogaritjeve të policisë, afër 40.000 vetë nga e gjithë Gjermania ishin në rrugë për të protestuar kundër politikës së qeverisë për Coronën. Në demonstrata u plagosën 33 policë dhe u ndaluan 316 vetë. Kundër 131 vetëve u ngri padia.