Zemërim në Evropë, protesta të dhunshme kundër kufizimeve nga pandemia

Në heshtje, e me rrugët bosh. Kështu u zgjuan austriakët këtë të hënë, kur hyri në fuqi izolimi i katërt kombëtar me qëllim frenimin e pandemisë.

Qytetarëve u është kërkuar të punojnë nga shtëpia, të mos dalin përveçse për arsye thelbësore, dhe të gjitha dyqanet jo të domosdoshme janë mbyllur.

Austria është shteti i parë europian që kthen izolimin, e po ashtu i pari që do të detyrojë qytetarët të vaksinohen nga 1 shkurti. Masat drastike që do të jenë në fuqi deri në 12 dhjetor, merren mes 3-fishimit të numrit të vdekjeve ditore gjatë ditëve të fundit dhe mbushjes së terapive intensive në spitale.

Mijëra njerëz protestuan në Vjenë gjatë fundjavës, me slogane të tilla si “Liri” apo “Rezistencë”. Protesta masive, e në shumë raste të dhunshme kundër kufizimeve pati edhe në qytete të tjera europiane. Demonstruesit u përleshën me policinë në Bruksel, pasi dhjetëra mijëra njerëz marshuan në qendër të qytetit.

Protestuesit kundërshtojnë certifikatat shëndetësore, që ndalojnë të pavaksinuarit të hyjnë në kafene, restorante dhe ambiente të tjera të mbyllura. Marshimi nisi i qetë, por përshkallëzoi shpejt, me turmën që hodhi gurë dhe fishekzjarrë ndaj policisë që u përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë, raporton A2news.

Skena kaotike erdhën edhe nga Holanda fqinje, ku për të tretën natë radhazi pati protesta të dhunshme. Të paktën 15 persona u arrestuan në Roosendaal, ku ju vu zjarri edhe një shkolle fillore. Të shtunën, rrëmuja përshiu qytetin e Hagës ku protestuesit dogjën biçikleta dhe objekte të tjera.

Me herët, zemërimi shpërtheu në qytetin e Roterdamit. Një sërë personash janë arrestuar, e të tjerë mbetën të plagosur në Holandë ku prej disa ditësh ka hyrë në fuqi izolimi i pjesshëm. Protestuesit mbushën rrugët edhe në Zagreb, Kopenhagen, Itali dhe Francë.