Zemaj tregon se sa teste janë kryer deri më tani në laboratorët privatë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike vazhdon të ketë barrën kryesore për testimin e qytetarëve për COVID-19.

Ai në Express intervistën në KTV, tha se në laboratorët private janë kryer mes 3.000 3.500 teste molekulare (PCR), që është numër i vogël krahasuar më atë që është bërë në IKSHPK deri më tash – 76.623.

Por në laboratorët private vazhdojnë të kryhen me të madhe testet serologjike.

“Deri më tash janë kryer mbi 21 mijë teste serologjike në laboratorët privatë. Marrim raporte të përditshme nga laboratorët”, tha ai.

Zemaj shtoi se puna e laboratorëve në këtë kohë pandemie po inspektohet në baza të rregullta. Tregoi se ka pasur raste kur është pezulluar puna e ndonjë laboratori, por pas plotësimit të kushteve, ka vazhduar me punën.

Ministri Zemaj tregoi se së shpejti do të shtohen edhe 75 inspektorë për monitorim më të mirë të situatës në terren.

“Sot kam aktivizuar një konkurs për 75 inspektorë, gjitha kjo që të ruajmë situatën që e kemi të favorshme epidemiologjike”, tha ai.

Sipas Zemajt, Kosova me vaksinën kundër gripit sezonal “është një muaj përpara” në krahasim me një vit më herët.

“Kemi 160 mijë vaksina. Jemi një muaj përpara. Zakonisht jepen në muajin dhjetor. Vjet kanë nisur më 5 dhjetor, e sivjet do të nisin në nëntor. Jemi në proces të blerjes edhe 200 mijë tjera”, ka thënë ai.

Ai është shprehur se me shtimin e stafit shëndetësor në gjithë vendin, është lehtësuar puna për stafin aktual shëndetësor.

Zemaj po ashtu ka thënë se institucionet janë kujdesur edhe për furnizim me oksigjen, duke theksuar se po shpërndahet në të gjitha rajonet e vendit. Ka thënë se pika tjetër e përgatitjes për një valë të re potenciale është edhe spitali COVID-19, për të cilin “kanë përfunduar procedurat projektuese”.