Zemaj thotë se ka situatë të qetë pandemike

Ministri në detyrë i Shëndetësisë Armend Zemaj ka thënë situata me pandeminë është menaxhuar në mënyrë efikase dhe mund të konsiderohet e qetë, ani pse ka kërkuar që të vazhdohet me disiplinë.

Tutje, Zemaj tha se në zonën e kuqe janë Prishtina dhe Fushë-Kosova, mirëpo me këto kufizime po pretendojnë që ta mbajmë stabil gjendjen, numrin e infeksioneve dhe numrin e rasteve të hospitalizura.

“E kemi një situatë të qetë pandemike. Shqetësimi ka qenë për rastet e reja të cilat kanë rezultuar me Covid-19, por edhe infeksioni i ri, i cili u paraqit në Britaninë e Madhe. Kështu që  në një analizë të saktë, po kërkojmë që të vazhdohet me disiplinë”.

Zemaj thotë se nëse krijohen kushtet mund të ketë lirim të masave.

“Eventualisht nëse krijohen kushte dhe rrethana që mund të ecim me një lirim te këto zona që kemi përcaktuar edhe efekti i tyre u pa që ka rezultate të dukshme pasi kemi vetëm dy komuna në zonën e kuqe. Pothuajse shumica e aktiviteteve ekonomike janë të lejuara. Me këto kufizime po pretendojmë që ta mbajmë stabile gjendjen, numrin e infeksioneve dhe numrin e rasteve spitalore. Për momentin nuk besojmë që do të lëvizim shpejt me lirim të masave”.

Zemaj theksoi se janë vënë në dispozicion të gjithë mekanizmat për menaxhimin e variantit të ri të Covid-19.

“IKShPK-ja është vënë në garanci edhe në klinikat tona në izolimin e këtij virusi të ri në aspektin e shpërndarjes kontakteve edhe në aspektin shkencor edhe të trajtimit të saj përmes testimeve kështu që me kapacitete të cilat i kemi shtuar, por edhe me njohuritë e reja të cilat i kanë vetë profesionistët shëndetësor po tregojnë që mund ta mbikëqyrim ta kontrollojmë, por të kërkohet kujdes i shtuar edhe në këtë pjesë”.

“Ne kemi marrë vendime menjëherë për mbylljen e kufijve ajror me Britaninë e Madhe po shpresojmë që në vendet e rajonit mund të marrim masa kufizuese me vendet të cilat mund të paraqesin raste në rritje të këtij variant të virusit. Është vetëm variant që në shpërndarje e ka efektin më të madh. Ndërsa trajtohet njëjtë edhe në aspektin klinik”, thotë ai.

Ai shtoi se jo vetëm për qytetarë, por ka pasur gjoba edhe për partitë politike, andaj ai thotë se duhet të zgjerohet mbikëqyrja në të gjitha qendrat.

“Po të njëjtë janë qytetarët edhe partitë politike edhe aktivistë. Edhe qytetarët që nuk janë pjesë e subjekteve politike ne duhet të kemi kujdes madje kemi bërë thirrje që të shtohet kujdesi. Ka pasur gjoba edhe për subjekte politike dhe mendoj që duhet të zgjerohet mbikëqyrja jo vetëm në qendra të caktuara inspektorati sanitar, Policia e Kosovës dhe të gjithë të tjerët duhet të jenë më proaktiv dhe të shohin kalendarin zgjedhjeve që partitë politike duhet të paraqesin qoftë në polici dhe përmes tyre ta mbikëqyrin mbarëvajtjen e procesit, por aktiviteteve”.