Ministri i Shëndetësisë

Zemaj: Situata me koronavirusin nën kontroll, gënjeshtër se s’ka vende në Infektive

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka mohuar se në Klinikën Infektive nuk ka vend për pacientët me koronavirus. Sipas tij, situata me koronavirusin është nën kontroll.

Gjatë inspektimeve nëpër kafiteritë në Prishtinë, Zemaj ka thënë se do të ketë shtim të inspektorëve për të menaxhuar situatën.

“Rastet janë rritur nga lirimet që kanë ndodhur nga fillimi i muajit. Po tentojmë ta menaxhojmë situatën. Është nën kontroll të plotë. Ka pak keqinformim sa i përket menaxhimit të klinikave dhe mbipopullimit, nga ata që duan ta interpretojnë në atë formë. Sonte po mbështes inspektorët sanitarë. Kam paralajmëruar se s’do të ketë falje për shkelësit e ligjit e s’do të lejojmë që ata të na kthejnë në izolim”, ka thënë ai. “S’është e vërtetë që Klinika Infektive s’ka vende. S’është e vërtetë që QKUK-ja është para kolapsit. Janë gënjeshtra e manipulime të dashakeqëve. Kemi vende të mjaftueshme, por dhashtë Zoti të mos kemi nevojë për vende. Kemi shtretër, respiratorë, staf të përgatitur profesional që po bën punën maksimalisht 24 orë me përkrahjen e MSH-së, Qeverisë së Kosovës dhe akterëve të tjerë”.

Të martën, Qendra Klinike Universitare e Kosovës bëri të ditur se në Klinikën Infektive janë të shtrirë 111 raste me COVID-19. 66 raste theksohej se po trajtoheshin me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive. Në repartin e Mjekimit Intensiv janë 6 raste, 2 në gjendje të rëndë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, si dhe katër raste në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar me respiratorë. Sipas QKUK-së, në objektin e Mjekësisë Sportive, njësinë intensive, janë të shtrirë pesë pacientë, ndërsa në atë të Pulmologjisë 22.

Në Kosovë aktualisht janë 1250 raste aktive. Deri tash në vend janë regjistruar 2878 raste pozitive, me 1577 prej tyre që janë shëruar. 51 persona kanë vdekur.