Zemaj siguron qytetarët: Kemi teste të mjaftueshme

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka siguruar qytetarët se nuk ka vend për shqetësim dhe se ka numër të mjaftueshëm të testeve edhe në kohën kur brenda 24 orëve në Kosovë po kryhen 1 mijë e 500 teste për koronavirus.

Zemaj në debatin parlamentar mbi menaxhimin e COVID-19 nga ana e Qeverisë së Kosovës, tha se që nga dita e parë e pandemisë e deri më 4 qershor janë kryer 15 mijë e 880 testime, ndërsa nga 4 qershori e deri më 16 nëntor janë kryer 104 mijë 640 testime.

“Në IKSHPK, Departamenti i Mikrobiologjisë, gjenden 125 teste në stok, 100 mijë teste janë marrë me një pajisje donacion, vetëm 600 mijë teste janë blerë prej që unë jam ministër i Shëndetësisë dhe 6 pajisje janë blerë nga projekti i huamarrjes nga Banka Botërore, të cilat kanë ardhur dhe tash janë në vlerësim apo evaluim të përgatitjes për të hyrë në proces të testimeve në 6 qendrat rajonale të IKSHPK-së. Na duhen përgatitje, disa qendra janë të gatshme, disa të tjera janë në përgatitje dhe varet edhe nga kapacitetet humane. Me këto teste aktuale, me këtë intensitet që është mesatarja tash 1 mijë e 500 në ditë, kemi testime të mjaftueshme, përkundër kësaj Departamenti i mikrobiologjisë ka bërë kërkesën edhe për 300 mijë teste, të cilat duhet t’i sigurojmë. Pas ardhjes së aparaturave, tri në IKSHPK dhe një në Graçanicë, është shtuar sigurisht ky numri i testimeve dhe shtimi i gjurmimit në terren, si dhe rritja e kërkesës nga spitalet, QKMF-të për testime, të cilat tanimë janë duke ndodhur”, tha Zemaj.