Zemaj: Shqetësuese është rritja e numrit të rasteve spitalore me COVID-19

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se aktualisht ndonëse është rritur numri i rasteve pozitive me koronavirus në Kosovë, përqindja në raport me pozitivitetin është stabile.

Zemaj ka thënë në mbledhjen e Komitetit anti-COVID se shqetësuese mbetet rritja e rasteve spitalore.

“Ditëve të fundit kemi pasur rritje të numrit të rasteve. Përqindja në raport me pozitivitetin është stabile por shqetësuese janë rastet spitalore. Në rast se vazhdohet me rritjen siç ka qenë në ditët e fundit mund të jetë e papërballueshme për sistemin shëndetësor”, ka thënë Zemaj.

Zemaj ka thënë se gjatë vitit 2021 janë testuar 7000 mësimdhënës për COVID-19 prej të cilëve 2000 apo 31 për qind kanë rezultuar pozitiv.