Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj i ka shprehur ngushëllime familjes Arifaj për vdekjen e dy fëmijëve në Gjermani.
Përmes një postimi në Facebook, Zemaj ka thënë se vdekja e dy vëllezërve është humbje e madhe për të gjithë.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen tragjike të dy djemve të Arif Arifajt, në Bruckberg afër Münchenit të Gjermanisë.Vdekja e dy vëllezërve, njëri 13 dhe 17 vjeç është humbje e madhe për të gjithë. Andaj në këto çaste të rënda për familjen Arifaj nga Deçani dhe për të gjithë ne, i shprehi ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe farefisit”, ka shkruar Zemaj në Facebook.
Dy vëllezër nga Komuna e Deçanit, banorë të Gjermanisë, kanë vdekur mëngjesin e ditës së sotme pasi janë goditur nga treni.
Sipas informacioneve të para, të dy të rinjtë po tentonin që të kapnin trenin i cili ishte në stacion, për këtë arsye të dy kishin vrapuar drejt shinave. Ata u goditën nga një tren që po vinte drejt Mynihut dhe lëndimet e marra ishin fatale pas goditjes.







