Debat

Zemaj, Kurtit: Kosovës ia hëngre kohën, vetës kokën

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ku raportoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për dialogun dhe pranimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, tha se ky pushtet e ky kryeministër ka humbur kuptimin dhe se Kosova nuk e meriton dëmin të cilën po e shkakton ky i fundit.

“Sot ne duhet ta themi edhe një gjë tjetër, ndoshta keq-qeverisjen e brendshme do ta falnim sikur të arrihej sukses në dialog, por jo, me ty kryeministër Kosova është më keq edhe nga brenda edhe nga jashtë. Edhe sanksione edhe Asociacion, prandaj duhet të kërkohet falje për kohën e humbur ndaj Kosovës dhe rinisë së saj”, ka thënë Zemaj.

Në parim, beson Zemaj, çdo revolucion e ha kokën e bijave të vetë, e sipas tij revolucioni i kryeministrit Kurti, të cilën e ka cilësuar si të ashtuquajtur, e ka hëngër kohën e Kosovës ndërsa pushtetit, kokën.

“Disa që ishin me ty ndër vite këtu edhe kundër Zajednicës ose kanë hëngër burg ose kanë probleme familjare ose sillën rrugëve përjashta”.

Disa nga ata, sipas Zemajt, protestojnë kundër tij e disa nga deputetët e tanishëm të LVV-së, nuk mund të dalin të pinë kafe lirshëm, e duhet të futen birave për të hyrë në Kuvendin e Kosovës.