Zemaj kërkon dorëheqje morale prej Arben Vitisë

Ish-ministri i Shëndetësisë, njëherësh deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia duhet të jep dorëheqje morale për shkak të paaftësisë dhe keqmenaxhimit me pandeminë.

Zemaj i ftuar në emisionin Frontal ka thënë se paaftësia e Vitisë ka sjell pasoja të tmerrshme.

“Dorëheqja do të ishte morale veç për shkak të paaftësisë dhe keqmenaxhimit i cili ka sjell pasoja të këqija, të tmerrshme. Vetëm nëse nuk ke shpirt dhe ndjesi humani, i sheh qytetarët e tu t’u vdek para syve dhe del tregon statistika mashtrimi dhe raporte profesionale që mund t’i jap institute në webfaqen e tyre”, ka deklaruar ai.

Mirëpo, sa i përket masave të marra, Zemaj ka thënë se ministri Vitia nuk ka vepruar kokë në veti, për shkak që marrja e masave e ka një zingjir komandues.

“Nuk mendoj që ministri i Shëndetësisë gjithçka ka vepruar në kokë veti në aspektin politik. Kur i kemi quajtur masat politike, unë i kam adresuar në këtë formë. Kur kam thënë se këto janë masa në afekt, masa në panik e ka një zingjir komandues, sepse rekomandimet merren nga IKSHPK po edhe projeksionet ata t’i japin minimum për dy javë dhe të tregojnë se si është duke rrjedhur virusi. Ti ato i ndanë me shefin tënd, me kryeministrin dhe qeverinë, i ndanë edhe me digastere tjera”, ka thënë ai.

Tutje ai ka thënë se Qeveria Kurti është qeveri e dështimit.

Zemaj ka folur edhe për reagimet që i kishin bërë ministra e anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë kohës kur Zemaj ishte në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ai ka thënë se tani kur po regjistrohen shumë viktima, të njëjtit nuk po bëjnë zë.

“Vitin e kaluar ka pasur deklarata nga eksponentë të Vetëvendosjes që rastet e humbjet e jetës i kishin pas quajtur vrasje. D.m.th Qeveria Hoti, ministri Zemaj po shkakton vrasje. Paramendo deri ku shkon hipokrizia, ose idiotësia. Kish pas raste kur kanë shkruar deklaratë politike, ju lutem sillni oksigjen se nuk ka oksigjen në spitalet e përgjithshme. Thuajse oksigjeni është ujë i pijes dhe mund të sigurohet nga çdo kush. Sapo dulën rreth kufoma nga murgu dhe këta po i fshehin rastet. Kjo është lule që po i qesin. Tani zëri s’po ju nihet”, ka shtuar ai.