Zemaj i kërkon COVAX-it të përdorë autoritetin për sjelljen e vaksinave në Kosovë

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj i është drejtuar COVAX-it me një letër për t’i kërkuar mundësimin e arritjes sa më të shpejtë të dozave të vaksinave anti-Covid në Kosovë.

Përmes kësaj letre, Zemaj ka kërkuar nga COVAX-i ta përdorë autoritetin në mënyrë që Kosova sa më parë të pajiset me vaksina.

Zemaj ka thënë se në kuadër të bashkëpunimit me COVAX, Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka bërë përpjekje maksimale për të përmbushë të gjitha kërkesat e paraqitura nga COVAX, duke ju përmbajtur afateve të dhëna; dhe konsiderojnë se kanë arritur qëllimin që të jenë maksimalisht korrekt me afatet, llojin dhe cilësinë e dokumentacionit të kërkuar, që nga fillimi, përkatësisht Pjesa A e Kërkesës për Vaksina (Aplikacionit).

“Fatkeqësisht, përkundër angazhimit tonë maksimal, ne jemi shteti i vetëm në Evropë i cili nuk ka marrë asnjë dozë të vetme të vaksinës kundër COVID 19! Përveç mbështetjes te COVAX, Ministria e Shëndetësisë është në proces të vazhdueshëm të sigurimit të mbështetjes financiare nga institucionet ndërkombëtare financiare, për të mundësuar blerjen e (një pjese) të vaksinave me burimet tona, qoftë përmes ko-financimit nga COVAX; dhe/ose nga prodhuesit apo burime tjera të mundshme. Dëshiroj të ju rikujtoj se sapo kemi pranuar letrën e znj. Aurélia Nguyen, Managing Director, Office of the COVAX Facility, e cila me 26 th February 2021, na ka informuar për “The Covax Facility First Round Of Allocation: Astra Zeneca/Oxford Vaccine”; së bashku me “Annex A: Key details on allocation, procurement, pre-requisites, supply and delivery (AZ AMC)”, ne kemi kompletuar dhe dërguar të gjitha dokumentet e kërkuara”, thuhet në njoftim.

Zemaj thotë se më 1 Mars 2021, pika fokale për Kosovën ka njoftuar se duhet t’i drejtohen UNICEF’s Supply Division, i cili do të lëshojë urdhër. Urdhër blerja nga UNICEF, sipas Zemajt është lëshuar të enjten, me 04 Mars 2021!

“Në vijim jemi informuar se sasia e parë e vaksinës AstraZeneca për Kosovën do të jetë e gatshme për transport më 17 Mars, ndërsa pjesa tjetër me 17 Prill 2021. Fatkeqësisht, deri më sot nuk kemi asnjë informacion për shkakun e vonesës dhe kohën e arritjes së vaksinave në Kosovë! Të gjithë jem të vetëdijshëm se vaksinimi i popullatës kundër Covid 19 është një çështje jetike për mbrojtje të jetës dhe shëndetit individual, dhe të popullatës, në veçanti të grupeve vulnerabile, në kushtet e pandemisë”, thuhet në njoftim.