Ministri i Shëndetësisë

Zemaj e quan shqetësuese rritjen e numrit të rasteve me COVID-19 në Podujevë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, kanë marrë pjesë në takimin e sotëm të Shtabit Emergjent të Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga Covid-19, ku është shqyrtuar gjendja aktuale me pandeminë dhe zbatimin e vendimit të fundit të Qeverisë për masat e veçanta për mbrojtjen nga pandemia Covid-19.

Në takimin e Shtabit Emergjent nënkryetari i komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, tha se pavarësisht masave të fundit nga Qeveria e Kosovës për kufizim të lëvizjes dhe veprimtarive, në Komunën e Podujevës ka përkeqësim të gjendjes epidemiologjike dhe rritje të numrit të prekurve me COVID-19.

Ai shtoi se organet kompetente, si policia, inspektorati dhe institucionet shëndetësore po bëjnë gjithçka në mënyrë që të respektohen masat anti-Covid, por pavarësisht kësaj gjatë muajit nëntor, e veçmas javët e fundit ka rritje të madhe të numri të rasteve.

Rudari potencoi rrezikun e përhapjes edhe më të madhe të këtij virusi gjatë këtyre ditëve të fushatës elektorale.

Në takim u tha se deri tani në Podujevë, që nga fillimi i pandemisë 1,376 janë infektuar me koronavirus, ndërsa 439 raste janë aktive, kurse 30 persona kanë vdekur jetë si pasojë e këtij virusi. Aktualisht në Komunën e Podujevës janë rreth 3 mijë persona në vetizolim.

Zemaj tha se të dhënat e fundit lidhur me situatën epidemiologjike në Podujevë janë shqetësuese, duke potencuar se vetëm javën e fundit janë infektuar 264 persona.

Siç bëhet e ditur përmes një komunikate për media, ai ka bërë apel te kandidatët për kryetar komune që këtë javë në fushatë për zgjedhjet e 29 nëntorit, të respektojnë vendimet e Qeverisë dhe ato të Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjithashtu është bërë e ditur se Zemaj ka dorëzuar projektin e Spitalit të Podujevës.