Zemaj: Do të hapet konkursi për specializantët nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka deklaruar se do të hapet konkurs për specializantët nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Zemaj ka shkruar në Facebook se pas regjistrimit të 1 mijë e 500 specializantëve për nevojat e Kosovës dhe Luginës së Preshevës, çështja e kandidatëve të rinj për specializime do të vazhdojë për kandidatët nga këto tri vende.

“Pas regjistrimit të 1.500 specializantëve për nevojat e Republikës së Kosovës dhe Luginës së Preshevës, çështja e kandidatëve të rinj për specializime, vazhdon për kandidatët nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Kjo u diskutua në takimin e sotëm me kryetarin e Bordit  Qendror për Shkollim Specialistik, dr. Labinot Shahini, andaj jemi dakorduar  që të hapet konkurs për specializantët e këtyre tri shteteve”, ka shkruar Zemaj.

Ai ka bërë të ditur se konkursi do të hapet në pajtim me Ligjin për Shëndetësi.

“Konkursi hapet në pajtim me Ligjin për Shëndetësi Nr. 04/L-125, Udhëzimin Administrativ mbi shkollimin specialistik Nr.05/2017, në bazë të propozimit të Bordit Qendror për Shkollim Specialistik (BQShS) dhe pas aprovimit nga Ministri i Shëndetësisë”, ka shkruar Zemaj.