Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar se asnjë masë dhe vendim MSH nuk e merr pa koordinim të plotë me të gjitha institucionet që janë të inovoluara në zbatueshmërinë e Ligjit për pandeminë.

Zemaj shtoi se çdo masë apo vendim është i kotë nëse nuk ka mbikëqyrje rigoroze të zbatimit të masave.

“Në Republikën e Kosovës, autoriteti i vetëm që interpreton masat anti Covid është Ministria e Shëndetësisë, çdo vendim tjetër i lëshuar nga ndonjë institucion tjetër, si leje për veprim është i pavlefshëm dhe policia dhe inspektoratet duhet të veprojnë menjëherë.Tashmë, kur kemi edhe ardhjen e diasporës dhe mundësinë e grumbullimit të qytetarëve, lusim të gjithë qytetarët për respektim rigoroz të masave.Bashkë ia dalim!”, tha Zemaj.

Zemaj u deklarua pas përfundimit të takimit që pati me institucionet përgjegjëse për zbatimin e masave kundër COVID-19, ku u diskutua situata momentale më koronavirus.

Gjatë ditës u supozua që masat anti-COVID pritet të ndryshohen gjatë ditës së sotme, por që Zemaj qartësisht nuk tha se është marrë ndonjë vendim lidhur me këtë çështje.

Dje IKSHPK konfirmoi se 223 raste të reja me COVID-19, ndërsa humbën jetën tetë persona.

Nga muaji mars deri më sot numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus ka arritur në 48.905 raste.