Zemaj akuzon Qeverinë Kurti: Dështim e degradim në shëndetësi

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka akuzuar Qeverinë Kurti për dështim e degradim të sektorit të shëndetësisë.

Në një shkrim në Facebook, “qasja në sektorin e shëndetësisë nuk ndryshon”.

“Ndaj, dështimi e degradimi vazhdon. Interesimi i kësaj qeverie nuk është menaxhimi e as avancimi i shërbimeve shëndetësore, këtë e kemi thënë që nga fillimi. Interesimi kryesor i kësaj qeverie mbetet kapja e pozitave nga militant politik; filluan me Bordin e SHSKUK, menaxhmentin, bordet profesionale e tashmë kanë arritur interesin primar e që del të jetë i madh ‘prokurimin e tenderët njëburimor’, do të thotë pasurimin e jo ruajtjen e shëndetit publik!” ka shkruar ai të premten në Facebook.

Zemaj po ashtu ka shkruar edhe për ikjen e mjekëve dhe stafit shëndetësor. Sipas tij, vetëm për katër muaj sivjet kanë ikur 104 ekspertë shëndetësorë.

“Zoti i ruajt mjekët e infermierët e mbetur në vend si dhe pacientët që kanë nevojë për shërim!” ka shkruar Zemaj.