Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar se në dy muajt e fundit, 250 mijë qytetarë të Kosovës, disa prej të cilëve jetojnë është në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi janë vaksinuar kundër COVID-19 në Serbi.

I ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin, ai ka thënë se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nuk ka informacione për këtë, ndërsa sipas tij, nga kjo ministri duhet të verifikohet shkuarja e kosovarëve për vaksinim në Serbi.

“250 mijë qytetarë të Kosovës përfshirë edhe ata në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi, vetëm në dy muajt e fundit janë vaksinuar në Serbi. Ministri se ka asnjë informacion. Këtë duhet ta verifikoj Ministria e Shëndetësisë. Ata e kanë marrë një karton të vaksinimit, sot nesër do ta përdorin për udhëtim”, ka deklaruar ai.

Përndryshe, Zemaj është shprehur se është papërgjegjësi kur ministri Vitia blen rreth 2 milion vaksina në kohën kur 250 mijë qytetarë vaksinohen në Serbi.

“Nëse edhe sot i blen 2 milion vaksina dhe nuk e dinë që 250 mijë qytetarë janë vaksinuar në Serbi, kjo është papërgjegjësi. Për këtë arsye ne po kërkojmë transparencë”, ka shtuar ai.

Tutje ai ka deklaruar se kanë kërkuar informacione nga ministri Vitia për marrëveshjen e arritur me Pfizer, por që nuk kanë marrë informata në këtë drejtim.