Deputetja britanike

Zelensky tha se Rusia po nxit luftë në Ballkan, Kearns: Në qershor paralajmërova për atë që mund të shohim në Kosovë

Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka reaguar pasi presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, ka bërë thirrje që t’i kushtohet vëmendje më e madhe rajonit të Ballkanit, pasi ka informacione se Rusia po planifikon të nisë një luftë për ta larguar vëmendjen nga Ukraina.

“Kushtoni vëmendje Ballkanit. Më besoni, kemi informacione: Rusia ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme do të jetë Ballkani, e nëse vendet e botës nuk ndërmarrin diçka, do të ketë një shpërthim të tillë. Kjo është arsyeja pse Rusia do të sigurohet se një vend i Ballkanit (të jetë) në luftë me një tjetër”, tha Zelensky.

Kjo deklaratë e tij ka nxitur reagime të shumta në platformën “X”, nga akterë ndërkombëtarë, të cilët kanë bërë thirrje për vigjilencë të shtuar.
Deputetja britanike, Alicia Kearns, përmes një postimi në platformën “X”, ka përsëritur paralajmërimet e saj të mëparshme për nevojën e një strategjie të qartë dhe të përbashkët në Ballkan.

“Kam paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se duhet të gjejmë ‘shtyllën kurrizore’ në Ballkan dhe të mos përsërisim dështimet e parandalimit. Ballkani është oborri ynë dhe ne kemi përgjegjësi historike. Paralajmërova në muajin qershor për atë që mund të shohim në Kosovë, por u hedh poshtë. Me keqardhje, shqetësimet e mia u realizuan”, ka shkruar ajo, transmeton Telegrafi.

Shqetësim për deklaratën e presidentit ukrainas ka shprehur edhe kryetari i Nismës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus.

Knaus në platformën “X” ka shkruar se “është e qartë, por BE-ja, Gjermania dhe të tjerët po qëndrojnë në gjumë. Po afrohet një dështim tragjik”.

Edhe analistja amerikane Ivana Stradner ka shkruar se fatkeqësisht presidenti Zelensky ka të drejtë.

Ndaj deklaratës së presidentit ukrainas, ka reaguar edhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, i cili deklaroi se “mesazhi i presidentit Zelensky është shumë i qartë për sa i përket një kërcënimi më të gjerë. Agresioni rus kundër Ukrainës ka funksionin e destabilizimit të vendeve në kufi me Bashkimin Evropian”.

“Ne kemi disa vatra potenciale të destabilitetit. Politika e Kroacisë është të bëjë përpjekje maksimale që komuniteti ndërkombëtar të angazhohet fuqishëm në zonën e Evropës Juglindore dhe ne jemi përkrahës të zgjerimit me fqinjët tanë. Kjo garanton paqe, siguri, stabilitet dhe marrëdhënie më të mira të ndërsjella”, tha kreu i qeverisë së Kroacisë.