Zelensky: Rusia po sjell mercenarë e hajdutë sirianë kundër ukrainasve

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ushtria ruse i ka trajtuar shumë keq edhe qytetarët që flasin rusisht në Ukrainë.

Në ditën e 16-të të sulmeve të Rusisë, Zelensky u është drejtuar ukrainasve duke bërë të ditur se prej 16 ditësh luftojnë për lirinë e tyre.

Ai ka thënë se “kjo periudhë është 4 herë më shumë se afati që armiku kishte parashikuar për pushtim”.

Presidenti ukrainas deklaroi se rusët mendonin se ushtria e tyre ishte një nga ushtritë më të forta në botë dhe do t’i mundnin ukrainasit shumë shpejt.

“Është e pamundur të themi se kur do t’i çlirojmë territoret tona nga pushtimi. Por, mund të them se këtë do ta bëjmë. Sepse, po bëjmë përpjekje për këtë. Sepse, që nga tash kemi arritur një pikë kthese strategjike. Po përparojmë drejt objektivit, fitores tonë”, ka thënë Zelensky.

Ai pohoi se nga partnerët perëndimorë presin sanksione të reja kundër Rusisë.

“Rusia duhet të paguajë çmimin e kësaj lufte të tmerrshme. Duhet ta paguajë çdo ditë. Dje liderët e BE-së zhvilluan një takim shumë të rëndësishëm. Ne e dimë se çfarë ka thënë secili lider. E dimë se kush ka folur qartë, se kush na ka mbështetur dhe se kush ka heshtur. Si e vlerësojmë ne vendimin e marrë? Shumë thjeshtë. Kemi nevojë për hapa më të fuqishëm. Kjo nuk është ajo që ne prisnim”, ka thënë Zelensky.

Lidhur me luftëtarët që Rusia ka planifikuar t’i sjellë nga Lindja e Mesme për të luftuar kundër Ukrainës, Zelensky ka thënë se po sjellin hajdutë nga Siria.

“Po luftojmë me një armik që nuk i intereson vdekja e mijëra ushtarëve. Armiku i cili ka mbledhur ushtarë nga çdo vend i Rusisë për t’i hedhur në ferrin e luftës, tani ka paraqitur mendimin për të sjellë ushtarët mercenarë sirianë kundër popullit të Ukrainës. Po sjellin nga Siria hajdutët”, ka thënë ai.

Zelensy ka thënë se ushtarët rusë janë sjellë shumë keq edhe njerëzit e Ukrainës që flasin rusisht.

“Vepruan me raketa, me bomba dhe topa. Ndërsa tani ushtarët mercenarë sirianë të cilët nuk bëjnë dallime se cilën gjuhë flet, se çfarë kishe frekuenton dhe çfarë partie mbështet, vijnë në një vend të huaj vetëm për të vrarë”, ka thënë ai.