Bashkimi Evropian nënshkroi të enjten një marrëveshje sigurie me Ukrainën, duke u zotuar të vazhdojë t’i ofrojë vendit të shkatërruar nga lufta mbështetje ushtarake, financiare, diplomatike dhe humanitare për një afat të gjatë.
“Unë do të doja t’ju falënderoja gjithashtu për marrëveshjen e sigurisë”, u tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky liderëve të BE-së të mbledhur në Bruksel për një samit.
Nga ana e BE-së, marrëveshja u nënshkrua nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit.
Michel tha në një postim në X – menjëherë pas ceremonisë së nënshkrimit – se “këto angazhime do të ndihmojnë Ukrainën të mbrojë veten, t’i rezistojë destabilizimit dhe të pengojë aktet e ardhshme të agresionit”.
Zelensky gjithashtu nënshkroi marrëveshje dypalëshe sigurie me Lituaninë dhe Estoninë, duke i shtuar atyre që ai ka arritur tashmë me shtetet e tjera anëtare të BE-së, përfshirë Francën dhe Gjermaninë.
Sipas marrëveshjes BE-Ukrainë, blloku zotohet të sigurojë “mbështetje të parashikueshme, afatgjatë dhe të qëndrueshme për sigurinë dhe mbrojtjen e Ukrainës”, të vazhdojë trajnimin e forcave të sigurisë dhe ushtrisë ukrainase, të forcojë bashkëpunimin midis industrive të mbrojtjes ukrainase dhe evropiane dhe të forcojë bashkëpunim për të luftuar kërcënimet hibride dhe kibernetike, si dhe manipulimin dhe ndërhyrjen e informacionit të huaj.
Një zotim kyç është “përshpejtimi dhe intensifikimi i dhënies së të gjithë ndihmës së nevojshme ushtarake”.
Por dokumenti prej 12 faqesh përmend vetëm financimin për vitin 2024 përmes Fondit të Asistencës së Ukrainës – me vlerë 5 miliardë euro – pa angazhime të mëtejshme për vitet në vijim.







