Zelensky: Armiku lëshoi mbrëmë 81 raketa, ishte natë e ashpër

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se mbrëmë vendi i tij e ka përjetuar një natë të rëndë, kjo pasi në disa rajone janë sulmuar me raketa nga Rusia.

“Ka qenë një natë e ashpër. Sulm masiv me raketa në të gjithë vendin. Sulme ka ndaj ndërtesave të banimit. Fatkeqësisht ka viktima dhe të vdekur. Ngushëllimet e mia familjes”, ka shkruar Zelensky para pak minutash në Facebook.

Ai tutje ka njoftuar se të gjitha shërbimet janë në funksion, derisa ka treguar se janë duke punuar në restaurimin e sistemit energjetik.

“Armiku lëshoi 81 raketa, duke u përpjekur të frikësonte përsëri ukrainasit, duke u kthyer në taktikat e tyre patetike. Pushtuesit mund të terrorizojnë vetëm civilët. Kjo është gjithçka që ata janë të aftë. Por kjo nuk do t’i ndihmojë ata. Përgjegjësia për çdo gjë të kryer nuk do t’u kalojë atyre”.

“Faleminderit rojeve të qiellit tonë dhe të gjithëve që ndihmojnë për të kapërcyer pasojat e sulmeve tinëzare të pushtuesve”, e përfundon shkrimin Zelensky.