Zelanda e Re u rikthehet masave të izolimit

Zelanda e Re ka raportuar për rastet e para lokale të infektuara me koronavirus në 100 ditët e fundit.

Katër rastet e reja janë identifikuar brenda një familjeje në Auklland, mirëpo burimi i infektimit nuk dihet ende.

Si përgjigje ndaj këtyre zhvillimeve, kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ka njoftuar se nga mesdita e së mërkurës, Auklland do të kalojë “në nivelin e tretë” të izolimit, deri në mesnatën e së premtes.

Ky vendim nënkupton që secilit i kërkohet të punojë nga shtëpia, përveç punëtorëve që e kanë të domosdoshme daljen në punë.

Hapësirat publike, restorantet dhe bizneset po ashtu do të mbyllen.

“Veproni sikurse ta keni koronavorusin, apo thuajse njerëzit afër jush kanë koronavirusin”, ka thënë Ardern.

Organizimet masive do të kufizohen në 100 persona në gjithë pjesën tjetër të shtetit.

Rasti i fundit lokal në Zelandën e Re ishte identifikuar më 1 maj, disa ditë pasi ky territor kishte nisur të lehtësonte masat e izolimit.

Një total prej 22 personave kanë vdekur me këtë virus në Zelandën e Re prej muajit shkurt.

Izolimi i shpejtë, kufizimet e ashpra kufitare, dhe një program agresiv i testimit është thënë të kenë ndikuar në eliminimin e këtij virusi për një kohë në këtë vend.