Kuvendi i Kosovës gjatë ditës së djeshme ka miratuar në parim Projektligjin mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019. Shuma e këtij buxheti është 1.9 miliard, ku prej kësaj 1.4 janë ndarë për paga dhe shpenzime.

Gazetari dhe njohësi i çështjeve të ekonomisë Zekirja Shabani, miratimin e Projektligjit, mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, e ka quajtur si buxhet jo zhvillimor sepse, sipas tij me këtë buxhet janë garantuar vetëm pagat e zyrtarëve të shtetit dhe ky buxhet nuk tërheq investime.

Shabani në një prononcim për Ballkani.info ka thënë se miratimi i këtij projektligji konsiderohet si fillimi i krizës sociale në Kosovë, ku siç thotë ai ka krijuar hendek të madh në mes të sektorit publik dhe atij privat.

“Përgjithësi nuk është buxhet zhvillimor qysh e kanë proklamu Qeveria e Kosovës, pasi është buxhet social, pasi pjesa më e madhe e buxhetit shkon për kategori sociale, shkon për pagat e zyrtarëve të shtetit, atëherë e kemi një buxhet jo zhvillimor, buxhet që nuk tërheq investime, buxhet që i pasivizon qytetarët dhe që i bën lakmues të posteve publike e jo aktiv në sektorin privat. Me miratimin e brendshëm të buxhetit, punëtorët dhe shërbyesit publik kanë garantuar pagat e tyre, po bashkë me ligjin për pagat mbrëmë është vulos fillimi i krizës sociale në Kosovë, për shkak të krijimit të hendekut të madh në mes sektorit publik dhe atij privat” është shprehur Shabani./Ballkani.info