Deputeti nga radhët e NISMA-s, Milaim Zeka gjatë seancës së jashtëzakonshme që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, ka kundërshtuar mbajtjen e kësaj seance në natën e zjarreve.

“Është turp për kryesinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të thirret seancë e jashtëzakonshme në natën e zjarreve”, ka thënë Zeka, përcjell Ballkani.info.

Tutje, Zeka ka folur edhe për kompromisin mes opozitës dhe pozitës për platformën e dialogut të ekipit negociator.

“Ka shumë dallime të mëdhaja mes pozitës dhe opozitës rreth platformës së dialogut, pra kemi qëndrime të ndryshme andaj është mirë të diskutohen. Qëndrime të ndryshme ka edhe brenda pozitës pra koalicionit qeverisës”, ka thënë Zeka.

Deputeti nga radhët e NISMA-s, ka thënë se nëse ata si deputetë nuk arrijnë të gjejnë zgjidhje, ai beson se ka një mundësi tjetër për realizimin e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë.

“Ka një mundësi tjetër që SHBA-të dhe BE-ja, t’i mbledhë dy delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, t’i dërgojë në bjeshkë diku në Norvegji për një kohë disa mujore deri sa të arrihet një marrëveshje”, ka shtuar Zeka, përcjell Ballkani.info.

Në fund, deputeti Zeka ka thënë se shteti i Kosovës po luan në dy fusha, ku në njërën anë e ka përmendur presidentin Thaçi dhe idenë e tij për korrigjim të kufijve dhe pastaj deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe platformën.

“Presidenti Thaçi në njërën anë po i përmend idetë e tij të shkëmbimit të territoreve, me ç’rast po thotë se Kosovës do t’i bashkangjitet Presheva, Medvegja dhe Bujanoci dhe po thotë se askush nuk mund të jetë kundër kësaj ideje. Unë po e them këtu si deputet i Kuvendit të Kosovës, në rast se me ndonjë lloj shkëmbimi të territorit apo diçka të tillë, preket integriteti apo pavarësia e shtetit tonë, me plot përgjegjësi po e them se un jam kundër bashkimit të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit”, ka përfunduar Zeka. /Ballkani.info