Zeka thotë se nëse flet zyrtari që e kërcënoi sot ministrin, shkaktohet cunam e tërmet

Ish-deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, ka reaguar pas kërcënimit të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi.

Mediat kanë raportuar se kërcënuesi i ministrit ka qenë sekretari i përgjithshëm i kësaj Ministrie, Burim Rreci.

Në një postim në “Facebook”, Zeka ka thënë se nëse flet Rreci mund të shkaktohet cunam e tërmet brenda Nismës.

“Me ba e me fole Rreci, ish sekretari permanent i Ministrisë te Tregestise dhe Industrise, shkaktohet termet dhe cunami brenda Nismes. Krejte çka fole Burimi, mundet me i vertetu ish ministri, Bajram Hasani!!!”, ka shkruar ai.

Gazeta Express ka kontaktuar me ministrin dhe ai ka pohuar se momentalisht është në takim me zyrtarët policorë pikërisht për këtë çështje.

“Tani jam në takim me zyrtarë policorë hetues pikërisht për këtë çështje”, ka thënë ai.

Kujtojmë që para tri ditësh ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka marrë vendim për rikthim në punë të Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj Ministrie, Rreci.

Rreci është kthyer në punë pas një suspendimi në shtator të këtij viti nga ministri Krasniqi nën arsyetimin se deri te ky vendim ka ardhur për shkak të neglizhencës dhe mosbashkëpunimit nga ana e sekretarit.

Mirëpo, pas një vendimi, ministri Krasniqi është detyruar ta rikthejë në vendin e tij të punës së mëhershme sekretarin Rreci.

Në vendimin e ministrit Krasniqi thuhet se Departamenti i Financave të kësaj Ministrie obligohen t’ia paguajnë sekretarit Rrecaj shumën e pagës të ndaluar prej 50%.