Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor, Fatmir Matoshi ka kërkuar urgjentisht fillimin e hetimeve për rastin që sot në Kuvendin e Kosovës e ka paraqitur Milaim Zeka.
Deputeti Milaim Zeka, sot në Kuvendin e Kosovës, përmendi një rast sipas të cilit biznesmenit Sabri Novosella, MMP-ja i kishte kërkuar 800 mijë euro e më pas 600 mijë dhe dy banesa në Prishtinë në këmbim të lejes për ndërtimin e një hoteli në Brezovicë.
Deputeti Zeka tha se informacionin e kishte marrë nga vetë biznesmeni Sabri Novosella.
Matoshi, ka kërkuar sot zyrtarisht nga organet e hetuesisë që të fillojnë menjëherë hetimet në lidhje me rastin e paraqitur nga deputeti Milaim Zeka, në seancën e sotme në Kuvendin e Republikës së Kosovës, rreth ndërtimit të një hoteli në Brezovicë.
“Sot në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Deputet Milaim Zeka ka deklaruar rreth një rasti të cilit ju ka referuar si kërkesë për mito nga “Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor” ndaj biznesmenit Sabri Novosella, lidhur me lëshimin e një leje të ndërtimit në Brezovicë për një objekt ku e ka cilësuar si hotel, sipas të cilit ju ka kërkuar një shumë e madhe parash për këtë shërbim”.

Ministria përmes një deklarate për media, ka thënë se duke u bazuar në këtë deklarata publike të deputetit Zeka kanë kërkuar te mirren masa dhe të fillojnë hetimet.
“Andaj duke u bazuar në deklaratat publike të Deputetit Zeka, ju kërkojmë të merrni të gjitha masat dhe të filloni hetimet lidhur me këto pretendime të bëra, duke e hetuar këtë rast i cili për neve si Ministri përbën shqetësim mjaft të madh andaj edhe urgjentisht kërkojmë bashkëpunimin e juaj për ta trajtuar dhe hetuar”.







