Deputeti Zeka

Zeka reagon pas deklaratave të Kryeparlamentarit Veseli se ‘armik e kemi Serbinë’

Pas deklaratave të Kryeparlamentarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, se duhet të jemi unik në raport me Serbinë, pasi që sipas tij, ‘armik e kemi Serbinë, jo njëri tjetrin’, ka reaguar deputeti nga radhët e NISMA-s, Milaim Zeka.

Zeka përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka kritikuar deklaratat e Kryeparlamentarit Veseli, duke thënë se Serbia nuk është duke na dëmtuar asgjë, por jemi duke e dëmtuar veten.

Postimi i plotë i Deputetit Zeka:

Pergjigje Kadri Veselit, kryetar i Kuvendit te Kosovës

Paska thanë Kryetari i Kuvendit se “armik e kemi Serbinë, jo njëri tjetrin”!

Jo Kryetar, gabim e ke! Serbi nuk e ka shkatërru pronën publike. Serbia nuk i ka shitë pronat e qytetarëve tek mafia, e tek njerezit anti-Kosovë. Serbia bash kurgja nuk po na banë.

Kryetar, nuk na tha Serbia që ne me thirrë seancë të jashtëzakonshme vetëm një orë para opozitës. Ata ora dhjetë, ju e thirrët në ora 9?!!! Pse, Serbia na tha?!

Kryetar, Serbia e shkatërroi Valën e PTK në?! Serbia po e vjedhë paranë publike? Serbia po i shkatërron pyjet e lumenjtë?!
Jo kryetar: Serbia lufton për shtetin e vet, ne vetëm për xhepat tonë! Serbia nuk po na fyenë e nuk po na poshtron si kazani mediatik i Kosovës, i financuar nga paraja publike…

Serbia na ka shkatërru shëndetësinë? Po arsimin? Serbia po na shet barna të prishura, ushqim të prishur?! Serbia po na shet naftë e benzinë kancerogjene?! Serbia po na bën ndërtime falc, e shkolla qe ju rrezohet tavani hala pa i përuru?!
Jo! Jo! Jo!

Askush nuk po na bën asgjë, perpos vetja jonë!!!