Deputeti nga radhët e NISMA-s, Milaim Zeka ditën e djeshme përmes një postimi në rrjetin social Facebook, iu ka drejtuar Ministrit aktual të Drejtësisë, Abelard Tahirit për mos reagimin e tij ndaj kontrabandimeve që po ndodhin me mallrat serbe.

Zeka ka potencuar se ministri Tahiri duhet të flasë për bizneset e ministrave dhe zyrtarëve të qeverisë të cilët janë të involvuar në këto biznese ilegale, pasi që sipas Zekës, Tahiri ka përgjegjësi para qytetarëve që ta thotë të vërtetën.

Në një prononcim për Ballkani.info, i pyetur rreth informacioneve që deputeti Zeka posedon dhe se a do të ishte i gatshëm që të dëshmonte tek organet e drejtësisë rreth kësaj çështje, Zeka ka thënë se organet e drejtësisë janë në dijeni për këto që ai ka deklaruar.

“Informacionet që unë i posedoj, nuk janë hulumtime të mija personale, këto informacione i kam marrë nga vetë organet e drejtësisë, andaj edhe jam i sigurtë që ato janë në dijeni për këto veprime. Se a do të reagojë Qeveria apo organet e rendit, nuk kam kompetenca të përgjigjem, unë vetëm kam folur për një shqetësim timin për bizneset që janë duke ndodhur dhe janë vazhdimësi e bizneseve të kaluara”, ka thënë Zeka për Ballkani.info.

Kujtojmë se ditën e djeshme, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri në një prononcim për media kishte thënë se mos zbatimi i taksës për kamionët me mallra që kanë mbetur në doganë para se taksa të hyjë në fuqi, hap rrugë për keqpërdorime të reja. /Ballkani.info