Deputeti

Zeka: Nuk do të mbështes asnjë projekt për asfaltim, jemi mbushë asfalt

Deputeti nga radhët e partisë Nisma Socialdemokrate, Milaim Zeka gjatë një interviste ditën e djeshme ka thënë se do të votojë pro miratimit të buxhetit të Kosovës por që normalisht do të ketë kërkesat e tij.

Ai ka theksuar se këto kërkesa do të jenë kushte që duhen plotësuar për të fituar votën e tij.

Në një prononcim për Ballkani.info, Zeka ka thënë se kërkesat e tij do të jenë gjithëpërfshirëse dhe që do të prekin kategori të ndryshme të popullatës.

“Kërkesat e mija nuk janë të definuara ende, por do të analizoj çdo projekt të paraparë dhe kërkesat do të parashtrohen rreth çështjeve si çerdhet, ujësjellësi, kanalizimet ose azilet e pleqve” ka thënë Zeka.

Tutje, Zeka ka theksuar se ndryshe nga deputetët e tjerë në Kuvendin e Kosovës që sipas tij mundohen të përkrahin projekte vetëm në regjionet nga ata vijnë, ai si deputet do të mbështet projekte në të mirë të të gjithë qytetarëve.

“Ndryshe nga këta deputetët e Kuvendit të Kosovës që mundohen të përkrahin projekte vetëm në regjionet prej nga ata vijnë, unë do të mbështes projekte që i shërbejnë qytetarëve në çdo cep të Kosovës. Nuk do të përkrah asnjë projekt për asfaltim se jemi mbushë asfalt” ka theksuar Zeka për Ballkani.info.

Zeka ka thënë që çdo projekt që do ta analizojë, do ta shqyrtojë edhe me Ministrin e Financave, Bedri Hamzën me të cilin ka thënë se kanë raporte bashkëpunimi të jashtëzakonshme. /Ballkani.info/