Zeka i del në mbështetje Thaçit: Takimi i tij me Vuçiq është pozitiv për Kosovën

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka i ka dal në përkrahje presidentit, Hashim Thaçi, në iniciativën e tij për arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Zeka thotë se takimi i tij me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Uashington është pozitivë për Kosovën. Derisa ka kërkuar që të largohen taksa ndaj Serbisë në mënyrë, siç thotë mos të hyhet në konflikt me ShBA-të.

Kryetari i Partisë Euroatlantike, Milaim Zeka foli edhe për qeverisjen një mujore të kryeministrit Kurti. Ai thotë se shkarkimet që i ka bërë shefi i ekzekutivit nuk duhet t’i shërbejnë për sistemim të militantëve të tij.

“Në mënyrë absolute e mbështesë tërë angazhimin e tij dhe përfaqësimin e tij në politikën e jashtme. Në qoftë se president i i vendit, kishte me pyet lloj-lloj bozhibozuku në Ramubje, ne sot nuk do të ishim këtu fare. NATO nuk do të bombardonte Serbinë, kështu që zërat se presidenti duhet të marrë miratimin e Hasanit dhe Hysenit dhe duhet të takohet, jo të takohet me Vuçiqin, jo të mos takohen me Vuçiqin këta janë zëra të mjerimit politik. Takimi i tij me ndërmjetësimin e ShBA-ve në shtëpinë e bardhë është një takim historik, shumë pozitiv për Kosovën”, thotë ai.

Zeka thotë taksa e vënë ndaj Serbisë nuk ka pasur efekt pozitivë ekonomik, për këtë sipas tij, duhet të largohet.

“Taksa kam thënë prej fillimit edhe në kohën e kryeministrit Haradinaj që ajo të hiqet për arsye se ajo ka pas vetëm efekt politik në muajt e parë. Ndërsa ka pasur efekt negativ ekonomik për arsye se tarifën e taksës e kanë paguar qytetarët e Kosovës. Një bukë nëse ka ku shtuar 30 cent, me vendosjen e taksës është bërë 50 cent, kështu që taksa 100 përqind duhet të hiqet, nuk duhet të diskutohet dhe të hyhet në konflikt me ShBA-të. As me BE-në sepse disa vende të BE kanë tendenca për të shty Kosovën në konflikt politik me ShBA-të”, u shpreh Zeka.

Ish-deputeti thotë se i mirëpret vendimet e para të qeverisë Kurti, derisa i bëri thirrje organeve relevante të drejtësisë, të bëjnë ndjekje penale gjithë bordeve të shkarkuara.

“Të gjitha këto vendime i mbështes dhe janë vendime të mira. Me përjashtim që kryeministri Kurti duhet t’iu bëj të qartë të gjithë ish bordeve të kaluara, se përpos shkarkimeve ai duhet me i bërë thirrje shtetit që t’i ndjekin këta njerëz penalisht…në qoftë se Albin Kurti ka qëllim me ndjek yrnekun e qeverive të kaluara, atëherë vaj halli për të. Në qoftë se dëshiron që me i quar militantët e vet, me i sistemuar në borde, në kompani të ndryshme, atëherë është tendencë e njëjtë. Dështimin do të ketë edhe ky si qeveritë tjera”, thotë ai.

Milaim Zeka legjislaturën e kaluar ka qenë deputet në Kuvendin e Kosovës, derisa në zgjedhjet e vitit të kaluar, bashkë me partinë që e udhëheq, PEK nuk e ka kaluar pragun zgjedhor.