Milaim Zeka

Zeka: Është rrenë deklarata e Tomë Gashit se dokumentet e Speciales janë origjinale

Ish-deputeti, Milaim Zeka e ka cilësuar “rrenë” deklaratën e avokatit të OVL-së së UÇK-së Tomë Gashi i cili tha se dokumentet e sjella në dosje nga persona anonimë pranë kësaj zyre janë dokumente origjinale të Gjykatës Speciale.

“Deklarata e Tomë Gashit se gjoja hetuesit e Prokurorisë Speciale e kanë pranuar që dokumentet janë të kësaj Prokurorie ju garantoj 100 për qind që është deklaratë e rrejshme. Hetuesit e Tribunalit Special nuk e kanë thënë një gjë të tillë”.

Ai në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se një dokument nuk mund të thuhet se është origjinal vetëm sepse e ka një vulë që, sipas tij, mund të falsifikohet.

“Është komplet rrenë. Këto dokumente nuk mund të jenë origjinale, vetëm pse një dokument e ka vulën e Gjykatës Speciale. Një vulë dhe një dokument edhe mund të falsifikohet. Origjinale nuk mund të jenë fare, sepse origjinali është në arkivën e Gjykatës Speciale – këto janë kopje që mund të jenë kopje të dokumenteve origjinale”.

“Tomë Gashi dhe plot avokatë të tjerë në Kosovë bëjnë deklarata politike dhe të dënueshme penalisht. Drejtuesve të OVL-së së UÇK-së iu lejohet një gjë të tillë, por jo një juristi. Edhe dokumentet që unë i kam marrë në atë kohë nga EULEX-i nuk kanë qenë origjinale – kanë qenë kopje të origjinalit”.