Zeka dëshiron që Policinë dhe gjykatat t’i kontrollojë EULEX-i edhe 50 vjet

Deputetët e Komisionit për Integrime Evropiane kanë folur sot zi e më zi për Kosovën para zëvendësshefit të zyrës së BE-së Ricardo Serri.

Madje deputeti Milaim Zeka tha se po të pyetej ai do t’ia vazhdojë mandatin e EULEX-it edhe për 50 vjet.Por Zeka tha se zyra e BE-së në Kosovë duhet të jenë më reale për arsye se sipas tij korrupsion ka pasur edhe nga UNMIK-u dhe EULEX-i.

“Po të isha unë udhëheqës i këtij shteti unë do t’ia vazhdoja mandatin EULEX-it dhe BE-së për kontrollin e policisë, gjykatave dhe prokurorisë edhe 50 vjet. Sado i keq që ka qenë EULEX-i është 1 milion herë më i mirë se prokuroria, gjykatat dhe Policia e Kosovës. Por, e kam një këshillë për Zyrën e BE-së: nganjëherë po flisni për ato rastet e shenjëstruara. Unë mendoj që ajo është një presion ndaj gjykatave dhe ndaj Prokurorisë së Kosovës.

Ju duhet t’i bëni presion presidentit, Zyrës së presidentit, Këshillit Prokurorial në përzgjedhjen e prokurorëve dhe gjykatësve të mirë. Por, ju lutem ju keni qenë këtu dhe jeni për të treguar rastet që një polic evropian dhe një prokuror evropian as nuk kishte me u marr me atë çështje dhe rastet që shkojnë në gjykatë vetëm për inate politike janë shokuese për çdo evropian.

Aktakuzat në Kosovë që i bëhen çdo personi, 90 për qind janë aktakuza politike dhe ato nuk bëhen mbi bazën e fakteve, por bëhen mbi baza të thirrjeve telefonike që i bënë X personi dhe i thotë gjuajuni filanit”, tha ai.