Zëdhënësi i VV-së shpërndan një lajm ku thuhet se Sveçla refuzoi orën Rolex për t’ia dhuruar shtetit

Zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka ka shpërndarë një lajm nga një medium me emrin “Kosova News”, ku thuhet se ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, gjatë vizitës në Katar ku ishte në javën e kaluar, ka marrë për dhuratë një orë të shtrenjtë nga sheiku i Katarit, të cilën ia ka falur ministrisë si suvenir i çmuar.

Sipas mediumit të lartpërmendur, i cili sipas transparencës së faqeve në Facebook, është hapur vetëm dy ditë më parë, bëhet fjalë për një orë të markës “Rolex” me çmim 30 mijë euro.

“EKSKLUZIVE| Kryeministri i Katarit i dhuron Sveçlës ‘’Rolex’’ prej 30 mijë eurosh, ai nuk e merr për vete, ja dhuron shtetit”, është titulli i mediumit të ri.

Ndërkaq, Manxhuka që e ka shpërndarë lajmin, në hapësirën e komentit në profilin e tij privat, ka lavdëruar Sveçlën, duke e quajtur veprimin e tij “gjest të jashtëzakonshëm”.

Ministri Sveçla ka qëndruar në Katar gjatë javës së kaluar, ku ka marrë pjesë në Panairin Milipol 2022.

“Pata rastin të takoj homologë të mi nga shtete të tjera. Me këtë rast, kam takuar Ministrin e Punëve të Brendshme të Francës, Gerald Darmanin, Zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Brendshme të Kuvajtit, Sheikh Ahmad Naëaf Al-Ahmad Al-Sabah, Ministrin e Sigurisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, Selmo Cikotic, Ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme në Sudan, Gjeneral Lejtënant Anan Hamed Muhammad Omar, dhe Zëvendësdrejtorin e Departamentit të Shtetit në Drejtoratin e Sigurisë Publike në Turqi, Mustafa Jait”, kishte njoftuar Sveçla në Facebook.