Zëdhënësi i PDK-së: Albin Kurti sonte shpalli dorëzimin në mes të betejës

Këshilltari i presidentit, Avni Bytyçi, ka reaguar ndaj Albin Kurtit, duke thënë se ky i fundit ka ngritur flamurin e bardhë.

Ai(Kurti) e personalizoi këtë masë, duke e konsideruar sulm kundër pushtetit të tij absolut që mendonte se po i rrezikohej, tha Bytyci, transmeton Ballkani.info

Ky është postimi i plotë i tij:

Ka disa javë që në Kosovë, patëm një politizim të panevojshëm, për masat që duheshin ndërmarrë për parandalimin e shpërndarjes së pandemisë vrasëse Covid-19.

Ideja për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme erdhi së pari nga LDK, partneri qeverisës i koalicionit me LVV; por Albinin Kurti, si çdo gjë dhe çdo herë në Kosovë e politizoi edhe këtë herë, në ekstrem edhe këtë masë më njerëzore për ruajtjen e jetës së njerëzve.

Ai e personalizoi këtë masë, duke e konsideruar sulm kundër pushtetit të tij absolut që mendonte se po i rrezikohej!

Problemi tani është, se ky Kryeministër në ikje po e kupton çdo ditë e më tepër gabimin e tij të madh të vonesës me vetëdije për këtë gabim.

Ai tani, pas gabimit të rëndë të veprimit të tij antikushtetues, nuk po di si të veprojë më tej me masat kundër pandemisë.

Ndryshe, nuk mund të kuptohet konferenca e sontme për media që mbajti para pak çastesh.

Në vend që të përcillte mesazh sigurie dhe vendosmërie, sonte, ai shpalli dorëzimin e tij të turpshëm, duke e bartur tërë përgjegjësinë tek Ministria e Shëndetësisë!

Po çfarë mund të bëj në një shtet një ministër, apo vetëm mjekët tanë të shkëlqyer?!

Ku mbeti strategjia qeverisëse që përfshin tërë mekanizmat shtetëror?!

A do ta udhëheq Ministri i Shëndetësisë nga sonte Policinë e Kosovës, ushtrinë, zjarrfikësit apo tërë mekanizmin shtetëror, vetëm Ministri i Shëndetësisë?!

Ky është dorëzimi i turpshëm i populistit që nuk pranonte as ndihmë as këshillë nga askush; përkundrazi luftonte me të gjithë dhe kundër të gjithëve.

Ky është Albin Kurti i vërtetë, i cili dijen dhe përvojën më të madhe e ka, siç e thotë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovë z. Veseli, vetëm dorëzimin.

Dorëzohet, çdo herë kur është rëndë. Edhe sonte ai shpalli dorëzimin, mu në mes të betejës! Ai sonte u turpërua, duke lënë në stihi dhe pa qeveri:
Heronjtë tanë- punonjësit shëndetësorë;
Policinë që po rrezikon edhe pa mandat të qartë ligjor;
Ushtrinë e Kosovës e ka lënë pa rol;
Ndërmarrësit privatë që janë ata që mbushin arkën e shtetit dhe po lënë në stihi sociale 280.000 punëtorë dhe familjet e tyre;

I pari kryeministër që zyrtarisht po e lejon Serbinë të ushtrojë autoritet legal mbi komunat e Republikës së Kosovës, duke ua lejuar futjen e qindra njerëzve personel jo vetëm shëndetësor, nga Serbia kundër pavarësisë sonë!

Dhe sonte, ai prapë na dëshmoi se nuk di çfarë të bëj më.

Atë e ka kapluar paniku i madh: në njërën anë zgjerimi i frikshëm i pandemisë vrastare dhe në të njëjtën kohë turpërimi i tij antikombëtar në veri, janë produkte të tija, të pasojave të drejtpërdrejta.

Më mirë do të kishte qenë, të dëgjonte miqtë dhe partitë në Kosovë, t’i bashkonte ata në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të Kosovës, se sa të përçante dhe luftonte me secilin.

Ky është Albin Kurti i vërtetë!

Ky është patrioti me bateri që gati shkatërroi Kosovën që me çdo kusht të vinte në pushtet!

Ky është Kryeministri, që kur erdhi në pushtet në mes të betejës, dorëzohet para Serbisë dhe dorëzohet para pandemisë!

Ky është ai njeri që vuri Kosovën, për herë të parë në histori kundër ShBA-së.

Me një fjalë, ky është njeriu që nuk di, nuk ka guxim dhe nuk mund ta udhëheq Kosovën!