Zëdhënësi i Merkelit: Ndryshimi i kufijve është i rrezikshëm

Zëdhënësi i kancelares gjermane, Steffen Seibert është shprehur kundër ndryshimit të kufijve përgjatë linjave etnike në Ballkanin Perëndimor.

Ai gjatë një konferencë për medie tha se ndryshime të tilla kufijsh mund të rrisin paqendrueshmërinë e rajonit, të krijojnë tensione të reja dhe deri në rikthimin e  konflikteve të së kaluarës.

“Ne zakonisht nuk komentojmë dokumente jozyrtarë por sa u përket spekulimeve që qarkullojnë aktualisht në media për ndryshimin të kufijve në Ballkanin Perëndimor përgjatë vijave etnike, nga pozita e Qeverisë Federale unë mund t’ju them se ne e konsiderojmë shumë të rrezikshme”, ka thënë Seibert.

Kutojmë, që edhe Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas gjatë vizitës në Prishtinë kishte thënë se idetë që kanë qarkulluar kohët e fundit rreth mundësisë së ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor, përveç që janë joreale, ato janë edhe të rrezikshme.

“Nuk e di nëse ka projekte të tilla. Fakti që është folur për non-paper është termi i duhur. Duhet të mbetet ashtu non-paper. Sa i përket ideve për ndryshime të kufijve, qeveria gjermane i refuzon fuqishëm ato, sepse një zgjidhje e tillë nuk çon në zgjidhje të problemeve, por i thellon ato”, kishte thënë Heiko.